Djali memec në audiencën e Papës
Me një ndryshim programi dhe shumë të qeshura, kjo audiencë e Papa Franceskut në Vatikan është kthyer virale në rrjet.
Është pikërisht një djalë 3-vjeçar i cili ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve duke u ngjitur në skenën ku ndodhej Ati i Shenjtë. Ai filloi të luante edhe me rojen duke mos u vënë aspak në siklet nga turma që e rrethonte.
Vetëm pak çaste më vonë në podium u ngjit edhe nëna e tij për të marrë të birin, duke i shpjeguar Papës se 3-vjeçari nuk fliste.
Duke mos e lënë djalin të zbriste nga skena, Papa Francesku foli për të edhe para publikut.
“Ky fëmijë nuk mund të flasë, por ai mund të komunikojë. Ai është i lirë, i lirë dhe i padisiplinuar. Më bëri të mendoj për veten time. A jam edhe unë aq i lirë para Perëndisë? Le të lutemi për të pasi nuk flet“.
Djali 3-vjeçar dhe familja e tij kishin ardhur nga Argjentina vetëm për të dëgjuar audiencën e Atit të Shenjtë.