E ëma e fton në televizion për t’i kërkuar falje por e bija e përlot para të gjithëve | Video

“Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” sot ka pasur protagoniste Zemrien, e cila donte t’i dërgonte një mesazh vajzës së saj, Lindita. Zemrie Neziri nga Burreli tregoi se vajza e saj e madhe, Lindita, ka qenë gjithmonë një nxënëse e mirë dhe ndihmonte familjen, kur u detyruan të punonin si shitës ambulantë. Në vitin e fundit të gjimnazit, Lindita i thotë së ëmës që dëshironte të vazhdonte shkollën e lartë jashtë vendit, edhe pse kushtet e tyre ekonomike nuk ishin të mjaftueshme. Zemria rrëfen se nuk ishte dakord që e bija të largohej, por pas aplikimit ajo u pranua të studionte në Moskë.

Edhe pse la shumë trishtim në familje, Lindita filloi edhe punë për të siguruar të ardhura, vetëm e vetëm që të mos shqetësonte familjen. Lindita këmbënguli shumë që të merrte dhe të motrën, Anitën, në Moskë për të studiuar, por Zemria i frikësohej klimës së ftohtë dhe ushqimit. Anita ishte gjithmonë nën përkujdesjen e Linditës, e cila punonte për t’i mundësuar gjithçka të motrës. Lindita qëndroi për rreth 7 vite në Rusi dhe u rikthye në Shqipëri për t’u paragjykuar nga njerëzit se, edhe pse studioi jashtë vendit, ende nuk ishte e punësuar. Por pas pak kohësh, Lindita mundi të punësohej në Ministrinë e Jashtme dhe të shpërngulej e vetme në Tiranë.

“Gjithmonë nuk e kam trajtuar si fëmijë të vogël, e kam trajtuar si të madhe, sikur ta kisha moshatare. Vetë i merrte përsipër detyrat, por unë asnjëherë … sepse ishin të tre të tjerët të vegjël dhe mendoja që kjo kërkon shumë, po këta?”

Lindita pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”. E gjendur para imazhit të nënës së saj në ekran, Lindita shtanget dhe pohon se nuk e priste, sepse faktikisht duhet të ishte ajo që duhet t’i bënte surprizë prindërve të saj:

Mami të kërkon ndjesë! E di që nuk i ke qejf këto surpriza dhe daljet. Por s’mund të rrija, shumë herë dhe në shtëpi kam dashur të ta them dhe ti më ke thënë që ç’është e kaluar, është e kaluar. Ti je një motër shembullore për dy motrat e tua dhe vëllain tënd. Ti ke qenë një mbështetje e madhe edhe për ne, prindërit. Ne të falënderojmë shumë! Por të kërkoj edhe falje që të kam mërzitur” – ishte mesazhi i Zemriës për të bijën.

Por Lindita iu kthye pa e dëgjuar deri në fund: “Asnjëherë, mami.  Nuk ke pse të kërkosh falje. Unë nuk gjej prindër më të mirë. Unë u jam mirënjohëse prindërve të mi se unë jam rritur e lirë dhe me dashuri, pavarësisht ekonomisë dhe vështirësive. Unë u thosha që dua të iki, kurrë nuk më kanë penguar. Pastaj rrezikova, të vijë dhe Nita, të studiojë, të jemi bashkë, do të mbështesim njëra – tjetrën, do t’ia dalim sido që të jetë. Ata përsëri kanë pasur besim. Studimi në Moskë është një nga periudhat më të bukura të jetës sime, pavarësisht se kam studiuar e punuar. Është gjë e zakonshme kur je studente, por mami i përjeton pak më shumë se është prind e ne ishim larg. Kështu që mami s’ka pse të ndihet në faj. Ne aty ia kemi kaluar mirë. Nuk ka punë pa lodhje, por kur e shikon që po e arrin qëllimin, nuk e ndien lodhjen. Unë nuk gjej fjalë ndoshta për t’u thënë prindërve të mi për sakrificat që kanë bërë. Mami nuk duhet të ketë asnjë ndjenjë faji sepse unë jam shumë e lumtur këtu ku jam” – tha Lindita duke e bërë të gjithë publikun të përlotet e ta duartrokasë për guximin që e gjen rrallë në bashkëmoshatarët e saj.

Share With:
Translate »
909 Views