Injektoi gjilpërë për kafshët për të abortuar, lind fëmijën me probleme mendore

Kjo është një histori e rrallë, vuajtjeje dhe dhune. Lumtuaria është martuar në vitin 1971 dhe për fatin e saj të keq, burri ishte alkoolist. Ai e ka dhunuar dhe tortuar. Përveç kësaj, e përbuzte edhe familja e burrit, duke ia vështirësuar shumë jetën.

Motra e saj, Nexhmia, ka ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan, për ta bërë të lumtur motrën e saj. Ajo rrëfen se Lumturia jeton me një brengë të rëndë.

“Kur ishte me djalin e tretë, motra nuk i mbante dot. Atëherë nuk bëheshin kështu gjërash si tani, nuk e do fëmijën dhe e heq. I rekomandon njëra, i thotë bëj një gjilpërë kafshësh që të heqësh fëmijën. E bëri këtë gjilpërë, por fëmija nuk u hoq. Fëmija u sëmur, është 35 vjeç tani, me të meta mendore. Ajo këtë e ka shumë pikë të dobët sepse thotë:’ Jam unë ajo që e bëra këtë djalë kështu.’ Ndoshta s’ka qenë dhe ajo, ka qenë fati i tij.”

Nexhmia tregon se Lumturia dhe katër fëmijët e saj rriheshin e torturoheshin, duke e bërë të pamundur jetesën. Këshilli i lagjes mundi ta divorconte, pasi familja e tyre nuk funksiononte më. Ish – bashkëshorti mori dy fëmijët e mëdhenj, ndërsa Lumturia djalin e sëmurë dhe vajzën.

“Ishte shumë e re, nuk e çante dot jetën vetëm. U martua. Sikur të mos mbaronte kjo histori e saj, pijanec dhe ky tjetri. Torturë e jashtëzakonshme.”

Në vitin 1997 humbi jetën një prej djemve të saj, duke e detyruar të kthehet në atë shtëpinë që ishte përbuzur, vetëm e vetëm për të varrosur të birin. Me kalimin e viteve fëmijët u stabilizuan dhe vazhduan jetën e tyre, por ajo ende ndihet e dhunuar dhe e torturuar, duke menduar se asnjë nuk e do.

“Ajo ka arritur deri sa ka thënë: ‘Kur të vdes dua të më hidhni sheqer në varr se e kam gjakun të helmuar’. Megjithëse Nexhmia dhe familja e saj kanë këmbëngulur që Lumturia të shkojë të jetojë me ta në Gjermani, ajo nuk ka pranuar. Sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” për Lumturien nuk ka ardhur vetëm motra e saj, por edhe djali i madh, Arturi. I pyetur nga Ardit Gjebrea nëse e ka parë ndonjëherë të ëmën të lumtur, ai e mohoi. Gjithashtu në studio janë shoqja e Lumturies, vëlla Kujtimi me bashkëshorten, si dhe nipi i saj 5 – vjeçar, që ka marrë emrin e djalit të vdekur, Kastriot. Lumturia pranon ftesën për të qenë pjesë e rubrikës

Lumturia shikon në ekranin e murit ndarës motrën e saj dhe përloten të dyja.

Nexhmia – Zemra e motrës je ti! Më fal që të gënjeva parmbrëmë, isha duke ardhur këtu. Në rradhë të parë kam ardhur këtu që të të them të mendosh më shumë për veten tënde. E dimë shumë mirë se sa ke vuajtur ti në jetë. Për mua je një mbretëreshë, nuk je motër! Edhe nëse je rënduar gjëkundi, nuk ke thënë kurrë një fjalë. Të duket vetja sikur je e papërfillur nga ne, sikur nuk të do asnjëri. Motra ka ardhur këtu të të thotë dhe një gjë tjetër, që ti do më japësh fjalën sot përpara gjithë këtij publiku të mrekullueshëm. Ti do vish në Gjermani të rrish ca ditë. Të shikosh dhe ti njëherë Gjermaninë, të shikosh dhe ti ditë të bardha, që s’ke parë kurrë në jetën tënde.

Të gjithë të afërmit, i shprehën dashurinë e tyre, duke bërë që kjo grua të kalojë ndoshta ditën më të bukur të jetës së saj.

Share With:
Translate »
986 Views