E ëma e Pirro Çakos, gruaja e bukur e Tiranës që kishte shikimet e të gjithëve

Të gjithë në Tiranë e njihnin dhe kënaqeshin kur vetëm e shikonin dhe e admironin. Aq i veçantë do të ishte stili i saj në veshje sa femrat e Tiranës të gjithë e kopjonin dhe në rrobaqepësitë e kryeqytetit të gjitha gratë shpreheshin se donin një fustan si të Luiza Papës. Luiza kishte fatin që nënën e saj ta kishte një mjeshtre rrobaqepësie dhe në shtëpinë e saj kishte dhe makinë trikotazhi që punonte bluza me fije. Ndaj e bija do të ishte modelja e parë dhe që do bënte trend në gjithë Tiranën. Dhe përveç kësaj kishte një trup të skalitur si Sophia Loren dhe një fytyrë të harmonishme dhe mrekullisht të bukur si një divë kinemaje.

“Si të gjithë në Shqipërinë e asaj kohe mundoheshin dhe të sajoheshin bukur. Pra përdornin ndonjë fustan të vjetër duke i marrë copën dhe duke sajuar një fustan të bukur me një model të ri. Pra me një nënë rrobaqepëse gjërat për të ishin më të lehta”, shprehet ajo. Gruaja më e bukur e kryeqytetit kishte një sqimë perëndimore në veshje. “Shikonim ndonjë film, ndonjë të huaj dhe mundoheshin të kopjonim modelin e artisteve”, thotë ajo. Ndër preferencat e veshjeve të sja ishin ngjyrat e bardha, blu, rozë e hapur dhe jeshile ndërkohë që ngjyrat e errëta dhe ato të fortat nuk ishin pjesë e garderobës së saj.

Pas fejesës më Gaqo Çakon ajo filloi të bëhej më fanatike për veshjen . Duke qenë se fati e kish lidhur me një emër të lakmuar të botës muzikore, një prej tenorëve më të mirë shqiptarë ajo filloi të ishte më e kujdesshme për pamjen e saj të jashtme. Trend i asaj kohe ishte një tualet i thjeshtë dhe një e veçantë që ajo e kish ruajtur gjithmonë: flokët topuz. Një model flokësh që gjithnjë i ka dhënë pamje mbretërore dhe aristokratike.

Të gjithë ata që në Tiranën e asaj kohe ndiqnin ngjarjet e mëdha artistike të kohës do të mbajnë mend veshjen e Luiza Papës në skenë. Aq sa biletat do të shiteshin për të parë sesi kjo vajzë e bukur dhe me sqimë por dhe me një talent të veçantë do të interpretonte në skenë. Sot Luiza është tek të tetëdhjetat por dhe pse rrudhat i janë shfaqur mban akoma aureolën mbretërore të saj dhe duket si gjithnjë fisnike. 

Arlinda Canaj/Konica

Share With:
Translate »
1622 Views