E lindur për të rrëshqitur mbi dëborë, Lara Colturi: Kam nisur të bëj ski kur isha 10-muajshe
Lara Colturi, e shpallur Kampione Bote në ski në kategorinë e të rejave, duket se ka lindur për sportin e akullt. Në një lidhje Skype me “Rudina” në Tv Klan, 16-vjeçarja foli për emocionet e saj për peshën e këtij titulli të cilin e fitoi teksa garonte për Shqipërinë. Në këtë rrëfim, Lara dha edhe një deklaratë të habitshme për fillimet e saj në këtë sport, të cilat kanë qenë prej një moshe fare të vogël. Kujtojmë që nëna e Larës, Daniela Ceccarelli është gjithashtu një skiatore italiane me medalje të artë që duket se këtë talent ia ka trashëguar së bijës.
Rudina Magjistari: Në ç’moshë ke nisur të stërvitesh me ski?
Lara Colturi: Kam nisur të bëj ski kur isha 10-muajshe, pastaj në mënyrë të mirëfilltë kam filluar në moshën 6-7 vjeç.
Rudina Magjistari: Çfarë do t’u thoshe moshatarëve të tu sot, që po të ndjekin?
Lara Colturi: Sigurisht duhet punuar shumë, me shumë pasion, me shumë përpjekje dhe gjërat pastaj vijnë. Unë mundohem edhe që të dëfrehem sa më shumë në këtë gjë sepse kështu edhe arrin atë që do.
Rudina Magjistari: Kur do të vish në Shqipëri, e ke në plan të vish tani shpejt?
Lara Colturi: Shpresoj sa më shpejt.