E RËNDË/ Thellohet tragjedia nga shpërthimi i bombulës së gazit në Velipojë, pas 2 vajzave ndërron jetë edhe nëna

Thellohet tragjedia nga shpërthimi i bombulës së gazit në Velipojë, pasi mësohet se ditën e sotem ka ndërruar jetë nëna e familjes Alketa Gjoka.

Më herët ishin ndarë nga jeta edhe dy vajzat e saj, Daniel Gjoka, 19 vjeçe dhe Klarisa Gjoka, 15 vjeçe, të cilat nuk mundën t’i mbijetonin plagëve të marra nga shpërthimi i bombulës.

Të dyja vajzat së bashku me nënë dhe vëllanë e vogël u nisën menjëherë për trajtim të specializuar në Itali, por tashmë vetëm 11 vjeçari Enriko ka arritur të mbijetojë, me gjendjen e tij shëndetësore që është përmirësuar.

Për këtë ngjarje është arrestuar Petrit Mollja, tregtar gazi, sepse dyshohet se ai i shiti gazin familjes Gjoka në Velipojë. Policia bëri me dije se Mollaj, 46-vjeç, banues në Shkodër, tregtonte gaz në kundërshtim me ligjin, ndërsa një ditë pas ngjarjes në Velipojë, atij iu bllokua aktiviteti.

Megjithatë, ai shkeli masën e bllokimit të aktivitetit duke vazhduar tregtimin pa licencë të gazit të lëngshëm dhe të naftës, jashtë kushteve tekniko-ligjore. Mollja akuzohet për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët djegëse” dhe “Tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse, në kundërshtim me ligjin”.

Share With:
Translate »
188 Views