Efi Gjika, 10 vjeçarja që do të përfaqësojë Shqipërinë në ‘Eurovision Junior’
Talenti nuk është çështje zgjedhje apo dëshire! Dhuntitë duken që herët në fëmijëri, moshë kjo ku pakkush mundet të identifikojë të ardhmen profesionale. Ajo bën pjesë në grupin e vajzave që talentin e kanë të lindur, e muzikën e artin e ka në gjak.
Sepse që në moshën shtatë vjeçare, menjëherë sapo kthehej nga shkolla, përfundonte detyrat e shtëpisë dhe frymën e mbante në mini studion artistike të krijuar brenda mureve të shtëpisë së saj. Kërcimi, piktura, e sidomos muzika janë zhanret që Efi Gjika i zhvillon prej disa kohësh në mënyrë mjaft origjinale. Ndonëse vetëm 10 vjeç, ajo ka mbi supe “peshën” e përfaqësimit të Shqipërisë në kompeticionit e këngës për të fëmijë që këtë vit organizohet në Minsk të Bjellorusisë në muajin Nëntor.

Kjo sepse Efi u shpall fituese e Eurovision Junor këtu në Tiranë, ku mes 16 konkurrenteve, ajo triumfoi duke zënë vendin e parë me këngën “Barby”! Por, ajo nuk është vetëm në këtë rrugëtim suksesi! Bashkëudhëtare me të është edhe e ëma, Kristina. Kjo e fundit mban autorësinë e tekstit të këngës, ku përveç muzikës dhe performancës së të bijës në skenë, ajo pëcjell përmes artit një mesazh kuptimplotë: mos i trajtoni fëmijët si pronën tuaj, lërini ata të lirë të shprehin emocionet dhe dëshirat e tyre. Dhe ky tekst është për të gjithë prindërit dhe fëmijët e tyre, është gjithëpërfshirës në mesazhin e tij.
E entuziasmuar për sfidën e re që e pret muajin e ardhshëm Efin, 10 vjeçarja e talentuar rrëfen se: “Mendoj se është emocioni më i madh që kam përjetuar deri tani…Është përgjegjësi për mua, fakti që do të përfaqësojë Shqipërinë atje, në skenën e Eurovision Junior në Bjellorusi. Mezi po e pres këtë eksperiencë të re, në të cilën do më shoqërojnë edhe prindërit e mi”, thekson ajo.