Elvana Gjata zbulon një copëz të surprizës së madhe në Festivalin e Këngës, mami në skenë?

“Me tana”, kënga e Elvana Gjatës në Festivalin e Këngës, është një prej këngëve më të dëgjuara në Youtube, pak ditë pas prezantimit. Ky është një fakt që e gëzon shumë këngëtaren, por edhe ia shton më shumë përgjegjësinë para publikut dhe fansave të saj.

Pak ditë para natës së parë të Festivalit, Elvana është në provat e kërcimit – aty ku e gjeti edhe Eni Shehu me “Aperi Fest”. Megjithëse nuk donte të zbulonte shumë për performancën me të cilën do të prezantohet në skenën e Festivalit, Elvana rrëfeu se për “Me tana” nuk kishte përdorur asnjë filozofi, asnjë strategji për ta sjellë enkas në Festival: “Këngën e kam shkruar rreth një vit më parë. Nuk kam përdorur asnjë filozofi, por sa herë që e dëgjoja, më qeshte shpirti me këtë këngë…” – tha ajo pas ngacmimit të Enit për llojin e këngës që zgjodhi për t’u prezantuar në festival.

Siç tha Elvana, nuk zgjodhi asnjë baladë, as këngë vjeshte, as këngë dimri, por pikërisht “Me tana”, sepse i jepte shumë gëzim.

Duke përgatitur edhe kërcimin, i cili, natyrisht do t’i përshtatet muzikës tipike shqiptare që ka edhe kënga, Elvana tha se ka një surprizë të madhe për skenën e Festivalit: “Do të kem mamin në skenë….” – tha me të qeshur, por jo, nuk e kishte me të vërtetë: “Në fakt, do të kem shpirtin e saj…” – vijoi duke shpjeguar se, në të vërtetë, një lëvizje të performancës e kishte huazuar pikërisht nga e ëma. Kjo e fundit, sa herë dëgjonte ritmin e këngës kur ia prezantonte e bija, thoshte “sa e lezetshme kjo…” dhe bënte atë lëvizjen tipike të nënave kur janë duke larë enët….

Gjithçka e shpjeguar në detaje nga Elvana, është përkthyer profesionalisht nga Albi Nako, i cili, ashtu si këngëtarja, e ka kompletuar këngën ‘me tanë’ elementët tradicionalë shqiptarë.

 

Share With:
Translate »
524 Views