Epoka e nënave të së nesërmes

Ora biologjike, ajo e dashurisë, e punës, apo ajo personale janë të vështira për t’u sinkronizuar me njëra-tjetrën. Ndoshta kjo është arsyeja që gjithmonë e më shumë gra sot provojnë të ashtuquajturën “social freezing”, një teknikë e nisur në SHBA, ku nënat ua propozonin vajzave të tyre, e cila po përhapet me shpejtësi edhe në Europë. Receta është e thjeshtë: d.m.th tani ajo që ka rëndësi kur flitet për pjellorinë nuk është më mosha e nënës. Kjo u jep grave, shansin për t’u bërë nëna kur të duan pavarësisht se kur e gjejnë partnerin dhe kur vendosin të kenë fëmijë. Ndryshe nga e kaluara, sot mosha nuk përbën më asnjë pengesë. Vezët e tyre të ngrira mund të “jetojnë” në laborator deri në dhjetë vjet. Në ShBA janë të paktën 15 mijë gratë e reja që kanë vendosur në “bankë” vezët e tyre, në pritje të një vendimi që ndoshta mund të mos vijë edhe kurrë. Në Europë, numri është më i vogël, por në rritje të vazhdueshme, duke e kthyer këtë tendencë pjesë të literaturës mjekësore dhe seminareve të ndryshme. “Të parat ishin disa koleget tona që, duke qenë më të informuara e shfrytëzuan mundësinë e kësaj teknike, por edhe limitet e saj: “social freezing” u lë pacientëve lirinë e duhur por duhet bërë në momentin duhur dhe në kushte të caktuara. Është një mundësi, jo një siguri”, tregon Alberto Ravello, docent i fiziopatologjisë së riprodhimit njerëzor në klinikën universitare të Torinos. Sipas mjekëve, kjo teknikë ka mundësi për t’u zhvilluar më tej: “Që mosha e grave që ngelen shtatzënë po shtyhet gjithmonë e më shumë, kjo dihet tashmë. Për fat të keq, femrat në karrierë nuk ngelin shtatzënë para moshës 32-vjeçare dhe përqindjet e suksesit në fekondimin artificial po ndodhin gjithmonë pas moshës 40-vjeçare. Është e lehtë të imagjinosh që një numër gjithmonë e më i madh pacientësh mund të bëjë këtë zgjedhje, që mes të tjerash ka edhe avantazhin që të mos përfshijë askënd tjetër dhe që për më tepër është krejtësisht e ligjshme”. “E rëndësishme është të mos krijosh shpresa të kota, le të themi që ngrirja e vezëve në moshën 30 ose 35 vjeç rrit mundësinë e një gruaje që nuk ka pasur probleme të mëdha me ngeljen shtatzënë, të bëhet nënë në moshën 40-vjeçare, nëse do të vendosë që ta bëjë këtë”, tregon Andrea Borini, shef i qendrës “Tecnobios” në Bolonja. “Duke i thënë të gjitha pacienteve të mia se këto janë mundësitë, ato kanë mundësi të informohen për gjithçka që lidhet me këtë teknikë. Mosinformimi shpesh të çon në rrugë të gabuar”, shpjegon më tej dr. Borini. Ai saktëson më tej se “ngrirja e vezëve është prej kohësh një zgjedhje e detyrueshme që u sugjerohet të gjitha atyre që iu nënshtrohen kimioterapive”. Por në këtë rast, teknika nuk mund të quhet ‘social freezing’. E vërteta është se u duhet këshilluar edhe atyre grave që pinë duhan, kush ka probleme me kistet në vezore apo precedentë familjarë të menopauzës së hershme”. Por kjo ide nuk u pëlqen të gjithave. Por nëse në SHBA kjo teknikë është jashtëzakonisht e përdorur, shumë shoqata në Europë kanë dalë në mbrojtjen e shtatzënisë në rrugë natyrale: nga pikëpamja shkencore, nuk ka asgjë më mirë se të bëhesh nënë në moshën 25-vjeçare. Mjafton të kesh gjetur njeriun e duhur, të kesh një punë të mirë dhe një shtëpi. Të thjeshta për t’u arritur apo jo?

 

Çfarë është “social freezing”?

Është zgjedhja për të ngrirë vezët, në mënyrë që t’i kesh në dispozicion në vitet e mëvonshme për të ngelur shtatzënë edhe kur nuk je më e re. Termi social u referohet arsyeve që nuk janë mjekësore: mungesa e një partneri, e një pune të qëndrueshme apo angazhimi në karrierë. Janë këto arsyet që e bëjnë një grua të shtyjë sa më vonë të jetë e mundur vendimin për të ngelur shtatzënë. Kjo lloj teknike vlen për të gjitha gratë e shëndetshme që nuk kanë probleme me ngeljen shtatzënë, që nuk i kanë kaluar të 40-at (por edhe pas moshës 35 vjeç mundësitë ulen në mënyrë drastike)

Teknika – Pacientet trajtohet me hormone, vezët hiqen nga vezoret dhe ruhen në vende të veçanta

Çmimi – 3000-4000 euro është çmimi mesatar i kësaj procedure

150 gradë Celsius – Është temperatura në të cilën ruhen vezët

10 vjet – Koha maksimale e ruajtjes së tyre

70% – Mundësitë që vezët të jenë “vitale” pasi shkrihen

Share With:
Translate »
963 Views