“Është mbrojtur në heshtje”/ Avokati flet për gjendjen e babait të Albert Krasniqit

Ramiz Krasniqi, avokati i Skënder Krasniqit, i cili akuzohet për vrasjen e djalit të tij, deklaron se klienti i tij i ka thënë se vrasja e Albertit ka qenë aksidentale, me armën e këtij të fundit, e cila ishte pa leje.

Pas tragjedisë, babai i të ndjerit ka qenë në gjendje të rëndë emocionale, gjatë këtyre ditëve ai është mbajtur me qetësues. Avokati thekson se Skënderi është përmirësuar disi.

Sipas avokatit, në vendin ku ka ndodhur krimi ka pasur kamera dhe pamjet janë tërhequr nga policia. Por, ai thotë nuk e di nëse kamerat kanë qenë funksionale.

I pyetur se çfarë ka deklaruar familja para policëve hetues dhe prokurorëve, avokati i Skënderit tha se nuk ka informacione.

“Unë nuk e di së çka kanë deklaruar familjarët, por e di që vrasja është aksidentale, ashtu më ka thënë Skënderi. Tani ta shohim se çfarë po flasin pamjet e kamerave. Me gjasë ka pas kamera, i kanë tërheq policia, por tash a kanë qenë funksionale a jo nuk e di se nuk e kam pa atë pjesë. Ajo pjesë ka qenë me kamera, por nuk e di e di që policia ka shkuar dhe besoj që i kanë tërheq”, tha Ramiz Krasniqi për Gazetën Express.

Më tej, avokati deklaroi se Skënder Krasniqi ka qenë në gjendje të rëndë emocionale, por tani është pak më mirë.

“Edhe sot jam takuar me Skënderin, është pak më mirë, e falënderojmë stafin e burgut i kanë ndenjur shumë gati, ai kur e ka ndonjë krizë i japin ndonjë qetësues dhe në krahasim me ditën kur është caktuar paraburgimi ai është më mirë”, thotë ai.

Po ashtu, avokati tregoi se babai i Albertit nuk ka deklaruar asgjë para prokurorëve, pasi është mbrojtur në heshtje.

Ai shtoi se arma që e kishte blerë tashmë i ndjeri, Alberti, ka qenë pa leje. “Arma pa leje ka qenë, nuk e di kur e ka ble Alberti armën”.

I pyetur nëse ka kontakt me familjarët e tjerë të Albertit, avokati Krasniqi tha se ka kontakt me vëllain e të ndjerit dhe se familja tani është në gjendje më të stabilizuar.

“Me vëllain e tij kam kontakt, tani familja është në gjendje më të qëndrueshme, ta shohim çfarë po ndodh këto ditë”, përfundoi avokati.

Share With:
Translate »
291 Views