Eugena Tomini: Jemi në situatë alerti, Komiteti Teknik i Ekspertëve mund të shtrëngojë masat
Ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, e cilësoi alarmante situatën e pandemisë në vend. Përmes një lidhjeje me “Skype”, në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, ajo tha se ishte parashikuar më herët, që nëse do të mbushesheshin kapacitetet e 500 shtretërve, do të vlerësoheshin skenarët e tjerë.
“Është një situatë alerti, e vlerësuar nga incidenca e shfaqur në disa nga bashkitë e vendit. Sigurisht, sipas një plani të parashikuar më herët, ne kishim parashikuar dhe mbështetjen e kapaciteteve në shtretër, përkundrejt hospitalizimit në tre spitale COVID. Nëse do të arrinim në 500 shtretër, skenarët do të hapeshin dalëngadalë. Duke vlerësuar këtë kapacitet, duke qenë se janë 500 pacientë në të gjitha spitalet COVID, është parë e udhës të hapen dy spitale rajonale si mbështetje, por ndërkohë të jenë dhe më afër popullatës në nivel rajonal”,- tha Tomini.
Ndër të tjera, Eugena Tomini tha se deri tani nuk kemi një konfirmim që variantet e reja të virusit po qarkullojnë në vendin tonë. Tomini theksoi se mutacionet ndodhen në laboratorin e Londrës dhe priten përgjigjet. Gjithashtu, ajo tha se masat kufizuese deri tani do të qëndrojnë të pandryshuara. Në rast të agravimit të situatës, sipas saj, pritet që edhe masat të ndryshojnë.
“Ende asnjë përgjigje nga laboratorët e Londrës. Është një sasi mostrash e dërguar në Londër, ka një listë pritjeje dhe një plan për të hyrë në testim mostrat në analizë virale…”
“Komiteti Teknik i Ekspertëve mblidhet çdo ditë, kemi një vlerësim që bëhet për dy javë. Deri në këto momente jemi duke monitoruar situatën. Nuk ka ndryshim të masave që kemi deri në këto momente. Duke parë në dinamikë situatën dhe kundrejt rasteve që kërkojnë trajtim spitalor, vlerësohet situata. Masat e vendosura nga Komuniteti i Ekspertëve vlerësohen, aprovohen. Nëse do të kemi përkeqësim të situatës, do të ketë dhe shtim të masave të shtuara”,- tha Tomini.
Tomini shtoi se me mbërritjen e 7 mijë dozave të vaksinave nga kompania Pfizer, do të shtohen edhe qendrat e vaksinimit në dy qarqe, Vlorë dhe Shkodër, veç stadiumit “Air Albania”. Gjithashtu, Tomini shtoi se krahas mjekëve do të vaksinohen dhe të moshuarit nëpër shtëpitë e të moshuarve.
“Sipas grupeve prioritare, ne po përvijojnë me personelin shëndetësor, do të përvijohet me azilet e moshës së tretë dhe do të përvijojë vaksinimi veç stadiumit “Air Albania”, në dy qarqe, Vlorë dhe Shkodër. Nuk do të humbasim asnjë minutë kohë, por do të vijojë që nga dita e nesërme procesi i vaksinimit për të gërshetuar punonjësit shëndetësor dhe azilet”,– tha Tomini.