Evi Reçi dhe Kledi Hysa prindër për herë të parë, këngëtarja konfirmon lajmin e ëmbël

Ashtu siç përflitej prej pak kohësh, Evi Reçi dhe Kledi Hysa po bëhen prindër për herë të parë. Lajmin e ëmbël moderatorja dhe këngëtarja e ka konfirmuar për “Living” në një intervistë ku flet për shtatzëninë e jo vetë.

Ajo shfaqet në kopertinë me barkun e rrumbullakosur duke ndarë me të gjithë pritjen e ëmbël.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Kids’ time (@kidstime.al)

INTERVISTA E PLOTË

Pyetja që besoj se dhe të është bërë shumë këto kohë : Ishte e planifikuar shtatzënia apo erdhi papritur? 

Përshëndetje dhe ju revista Living dhe faleminderit që po e ndajmë së bashku këtë moment kaq sublim për mua! Faleminderit që e shndërruat këtë ndjesi të ëmbël në kujtimin më të rëndësishëm, falë profesionalizmit që ju karakterizon. Kur ndërtohet një histori dashurie dhe respekti në kohën dhe moshën e duhur mendoj se disa gjëra thjesht ndodhin në mënyrë organike, me shumë dëshirë dhe pa stres. Kështu ishte dhe rasti ynë. Kemi arritur një pjekuri të dy, dhe kur marrëdhënia konsolidohet, ti do vetëm ta kristalizosh me plotësimin e familjes, e nëse Zoti të ka bekuar, e mirëpret me shumë gëzim. Ishim gati dhe pa frikë të krijonim familjen tonë të bukur.

Ku ishe kur e more vesh që kishe mbetur shtatzënë dhe cili ishte reagimi yt i parë?

Siç e përmenda dhe më sipër, kur je gati për diçka, e pret dhe kurdo që të vijë ti nuk e sheh më si surprizë, por si një “përballje’’ të re jete. Në rastin tim, i kisha marrë shenjat që diçka po ndryshonte në trupin dhe humorin tim. Isha në Tiranë dhe pas disa ditësh do ikja në Austri për festat e fund vitit, aty ku jeton dhe Kledi. Në një nga mbrëmjet tona, ia bëra të ditur lajmin me testin në duar. Reagimi i tij ka qenë epik: “ Ua, si test Covidi!’’. U tremb (qesh) pastaj e kuptoi për çfarë bëhej fjalë dhe sigurisht u përqafuam fort duke përjetuar të dy emocione të panjohura më parë. Unë në lot dhe ai si çdo mashkull besoj, duke e procesuar këtë ndryshim, filluam të mendojmë për përgjegjësitë që na takojnë. Tani mund të them që Kledi në këtë fazë është më i gëzuar. Unë isha nga fillimi, por duke marrë parasysh sikletet e para nuk ke kohë të mendosh gëzimet.  Kjo është koha e duhur për të gëzuar familjarisht dhe publikisht.

Cilat ishin gjërat e para që të shkuan në mendje kur e more vesh si lajm dhe me kë e ndave?

Nuk e ndava me njeri, derisa ia thashë Kledit. Sikletet e para i kalova me veten, sepse nuk i ndaj gjërat direkt deri sa t’i përvetësoj, çdolloj gjendje qoftë kjo, negative apo pozitive, siç janë edhe përzierjet dhe sikletet emocionale.

Në fakt, lajmi që ti mund të ishe në një pritje të ëmbël ka kohë që qarkullon, ose më mirë, Arjola Shehu, shoqja jote, shpeshherë ka bërë zhurmë në rrjet me disa postime në Instagram. Tani që është e vërtetë si ka qenë reagimi i njerëzve? 

Ka gati një vit që po qarkullon ky lajm, një alarm fals, që ra pasi Arjola bëri një “inside joke’’ tek një foto imja në Instagram, por që s’kishte fare lidhje me bebin. Por, nga gazetarët atëherë u keqkuptua dhe më shpallën shtatzënë . Telefoni nuk pushonte në atë kohë saqë u bezdisa se m’u duk sikur po më kërkohej llogari, gjë që unë nuk e dua fare, aq më tepër për gjëra kaq personale! Kujt ia kam treguar, shumica kanë qarë dhe më kanë përqafuar, më kanë uruar dhe shpeshherë dhe e kanë parandier që unë isha. Kush e ka përjetuar këtë ndjesi e ka kuptuar gjendjen time dhe ka dhënë të vetme këshille të vlefshme: “Shijoje dhe mos dëgjo njeri’’. Në fakt, kështu po veproj. Këshillat mjekësore i pranoj vetëm nga gjinekologia ime dhe të tjerat më rrëshqasin në lëkurë dhe nuk ndikohem fare .

Beson në besëtytni për të mos ta bërë lajmin publik menjëherë si shumë të tjerë?

Më shumë se besëtytni do të thosha që ishte siguria e krijuar. Aq më tepër kur është shtatzënia e parë, dhe ne nuk donim ta ndanim për 2-3 muajt e parë me askënd. Bënim kontrollet, por ruanim qetësinë, dhe po e shijonim veç ne të dy situatën. Nuk jam partizane e ndarjes së lajmeve shumë shpejt, si çdo gjë në jetë, i kam dhënë kohë vetes për deklaratat publike. Atë e vendos unë kur ta ndjej, ashtu siç e ndjeva ta ndaja me ju, duke qenë se jam dhe më e qetë tani.

Dëshiroje vajzë apo djalë dhe je e lumtur që do jesh një mam çuni?

Gjininë nuk e kemi pasur fare temë kryesore. Por, parandjenja ishte që e kishim djalë. Kledin mund ta lije deri në lindje dhe nuk donte ta dinte gjininë, nuk e kishte aspak të rëndësishme, donte vetëm shëndetin e tij të plotë dhe nuk kishte preferenca. Unë, nga ana tjetër, i thashë një mikeshës sonë, e cila na ndihmoi me analizat, ta shikonte dhe të na sillte një tortë me ngjyrën e gjinisë së bebit. Nuk bëra asnjë festë madhështore për “gender reveal”. Ajo thjesht më solli tortën, ne e hapëm dhe zbuluam ngjyrën blu. U gëzova shumë, se e doja një çun, nuk e di pse, ndoshta prej natyrës sime. Kledi duke qeshur tha vetëm këtë: “Tani po që do më lini mënjanë, se çunat bëjnë pas mamit, të ishte gocë do ta kisha për vete’’.

Sa e kujdesshme je gjatë kësaj periudhe për të mbajtur një regjim ushqimor të mirë?

Në muajt e parë, nuk haja dot çfarë doja ose çfarë duhej, pasi pothuajse çdo ushqim më shkaktonte të përziera. Ndërkohë, kam qenë shumë e informuar mbi regjimin ushqimor, larg krudove, larg sushit dhe gjërave të pa gatuara. Për çdo gjë që doja të konsumoja, hulumtoja më parë në Google. Nuk kam pasur nepse apo ekzagjerime. Me gjërat e kripura e kam mirë muhabetin, e jo me ëmbëlsirat (fatmirësisht).

Të ka penalizuar deri tani shtatzënia me punët e shumta që bën?

Aspak! Kam një emision mëngjesi çdo ditë në radion Club FM dhe zgjohem në orën 6:00 pa probleme fare. Bëj pothuajse përditë 10.000 hapa ecje dhe vazhdoj të punoj edhe me Instagramin apo me aktivitete që duhet të prezantoj apo të këndoj. Sa të kem fuqi do punoj, të paktën deri në verë. Pse jo!

Mendon se mund të kemi një këngë dedikuar bebit?

E kam menduar, dhe ndoshta më vonë do ta bëj, por për momentin nuk kam. Dua ta lë ndjenjën të rrjedhë, pasi krijimtaria vjen më e bukur dhe më e natyrshme.

Si janë planet për të ardhmen? Ku do ta lindësh dhe a preferon të bësh një pauzë në karrierë?

Aktualisht ndodhem në Tiranë se kam emisionin radiofonik. Dëshira është që më vonë të jem në Austri për lindjen, por për pak kohë. Atë do ta shohim sipas planeve dhe ecurisë. Pauza në karrierë nuk ekziston. Kam një punë komode, si me radion ashtu dhe me muzikën, me orare të përshtatshme me përditshmërinë. Por, sigurisht që primare do të mbetet koha dedikuar familjes sime të re. Nuk e di fare çfarë nëne do të jem, por jam e sigurt që fëmija do të rrethohet me muzikë dhe njerëz pozitivë që do ta duan shumë. Në familjen time është hera e parë që vjen një bebush, prindërit e mi janë gati dhe mezi e presin. Unë nga ana tjetër, do të mundohem bashkë me Kledin t’i japim një jetë komode, me mësime të vlefshme jete.

Keni filluar të mendoni për emrin? Mund të na zbulosh diçka më tepër për LIVING?

Patjetër! Kledi ma ka lënë mua këtë gjë. E di që unë lexoj shumë dhe e di që do mundohem të kombinoj kulturat tona në një emër, ndoshta dy: diçka nga trojet tona, që të ketë kuptim historik dhe të mbetet ndërkombëtar. Më shumë detaje nuk po jap, se deri në fund ndoshta ndryshoj mendjen!

Është e vërtetë që ka një ndryshim për mirë në marrëdhënien e çiftit kur marrin lajmin se do të bëhen prindër? Si ka ndikuar kjo tek ti dhe Kledi?

Krijohet një raport më i veçantë dhe ndoshta më i thellë. E shikon tjetrin si bashkudhëtar, do të ndash me të shumë gjëra dhe nuk është më një lidhje. Tashmë jemi një familje. Çdo fjalë peshon ndryshe dhe faktet fillojnë flasin më shumë. Bëhesh më i/e durueshme dhe ndan ndjenjën e së ardhmes me më shumë përgjegjësi dhe dashuri.

Cila është gjëja që dëshiron të bësh më së shumti tani në shtatzëni dhe çfarë do të doje të eliminoje fare nga rutina jote?

Udhëtimet i ndalova në shkurt, bëra disa udhëtime për Festivalin e Sanremos dhe në Firence, pastaj nuk doja të lëvizja shumë me avion për shkak të lodhjes së shtuar. Do doja të ecja akoma më shumë, aq sa na lejojnë këmbët e fryra dhe frymëmarrja.  Vazhdoj të jem aktive dhe të bëj një jetë normale.
Një emision i këndshëm për prindërimin dhe fëmijët do të vijë shumë shpejt nga unë dhe një staf i dedikuar, por nuk po zbuloj më shumë për episodet. Kjo më shton qejfin e punës edhe gjatë shtatzënisë.

Share With:
Translate »
38 Views