“Faleminderit mami”, vajza e Angelina Jolie emocionon me fjalët për të ëmën
Vajza e madhe e aktores Angelina Jolie, Zahara, hodhi dritë mbi marrëdhënien e saj të veçantë me aktoren, duke bërë të ditur se si nëna e saj “superheroinë” e ka frymëzuar atë.
Gjatë një eventi të kohëve të fundit të shoqatës studentore Alpha Kappa Alpha në Spelman College, në Atlanta, Zahara bëri një koment të veçantë në lidhje me raportin e saj me Jolie, duke e cilësuar sfidues faktin e të gjeturit të fjalëve për të përshkruar vlerën e marrëdhënies nënë-bijë.
“Nuk është sfiduese sepse nuk e vlerësoj, por sepse unë dhe mami im kemi një marrëdhënie unike që mund të jetë e vështirë ta përshkruash me fjalë”, tha ajo në një video të shpërndarë në rrjetin social X, të dielën, më 26 prill.
Jolie, 50 vjeç, qëndroi në skenë me Zaharën ndërsa studentja e kolegjit detajoi lidhjen e tyre pas birësimit të saj në vitin 2005.
“Dashuria jonë për njëri-tjetrin është e gjetur. Unë u adoptova kur isha 6 muajshe dhe më dhanë disa nga njerëzit më të veçantë dhe më të dashur si vëllezër e motra. Me një nënë që na rriti me vlerën e ndihmës ndaj të tjerëve, të qenit të sjellshëm dhe gjithmonë duke u përpjekur për rritje. Këto vlera mund të duken të thjeshta, por në një botë ku mirësia neglizhohet dhe ndihma ndaj të tjerëve ka një kosto, jam mirënjohëse që kam pasur një model që më tregoi se si duket të jesh një qenie njerëzore e mirë”, pohoi Zahara.
Zahara, e cila është edhe nënkryetare e shoqatës së saj studentore, gjithashtu rrëfeu se për të aktorja e mirënjohur është gruaja më altruiste, e dashur dhe mirëkuptuese dhe se çdo vajzë mund ta njohë ndjesinë e të konsideruarit të nënës së vet si një superheroinë dhe të mos dijë se si arrin ajo të jetë e tillë. Sipas saj, kjo është diçka që ajo është duke u përpjekur ta kuptojë përgjatë gjithë jetës së saj.
Gjithashtu, gjatë fjalës së saj, Zahara foli hapur në lidhje me vështirësitë me të cilat është përballur duke u rritur në qendër të vëmendjes së bashku me pesë vëllezërit e motrat e saj.
“Me shtimin e jetës publike që jetojmë, mund të jetë e vështirë të gjesh ato momente të veçanta dhe intime pa u mbingarkuar nga shumë sy që janë mbi ne. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar kurrë mamanë time të jetë kurioze për të gjitha ato që po mësoj brenda dhe jashtë klasave të mia në Spelman”, pohoi vajza e Angelina Jolie.
Zahara gjithashtu bëri të ditur se është duke kërkuar një karrierë në lidhje me zhvillimin e të rinjve dhe mentorimin e vajzave të reja, dhe kjo dëshirë i buron nga puna bamirëse e së ëmës dhe mirësia e saj e përgjithshme.
“Më kujtohet një citat që pashë vite më parë, i cili thoshte: ‘Unë jam një grua e fortë sepse një grua e fortë më rriti’”, tha Zahara përpara se të kthehej nga Jolie. “Faleminderit, mami”, përfundoi ajo.
Jolie ndan Zaharën me ish-bashkëshortin e saj, aktorin Brad Pitt, si dhe fëmijët e tjerë: Maddox, Pax, Shiloh dhe binjakët Knox dhe Vivienne.
Jolie ishte e martuar me Pitt për dy vite përpara se të paraqiste kërkesën për divorc në shtator të vitit 2016.
Ish-bashkëshortët u deklaruan ligjërisht beqarë në nëntor 2019, por mbetën të përfshirë në një betejë ligjore për kujdestarinë e fëmijëve të tyre. Procedurat ligjore u finalizuan në dhjetor të vitit 2024.