”Fati na sfidoi të dyjave, por ne s’u dorëzuam”, nënë e bijë mundin të njëjtin kancer duke dashur të jetojnë

Rastësitë e fatit janë nga më të çuditshmet. Mund të ndodhë të dashuroheni me të njëjtin njeri, të vishni të njëjtën xhaketë si mikja juaj, të mbroni të njëjtën temë diplome njëlloj si një shok gjimanzi, e për fat të keq rastësia bëri që Teresa (47 vjeç) dhe vajza e saj e vetme Federica (19) të përballeshin me të njëjtën sëmundje: limfomën Hodgkin. Askush nuk e kishte imagjinuar që nënë e bijë do t’u nënshtroheshin të njëjtave procedura mjekësore, të njëjtin kalvar të gjatë vuajtjesh mes lutjeve për t’ia dalë mbanë, forcës për të çuar deri në fund seancën e radhës së kimioterapisë etj, për të dalë në fund triumfuese. Historia e dy grave të mësipërme ka emocionuar jo vetëm publikun italian që është njohur me të së fundmi, por edhe atë botëror: një histori mbijetese e një nëne e një bije që fati i sfidoi me të njëjtin diagnozë.

‘’Isha vetëm 8 vjeçe kur mamaja u diagnostikua me limfomën Hodgkin.  Mbaj mend që ajo rënkonte gjithmonë në shtëpi, por para meje tregohej e fortë pasi ishim vetëm unë dhe ajo. Punonte nga 2-3 punë në mënyrë që të paguante kurset e mia, qiranë e shtëpisë dhe ndonjë fundjavë në plazh. Por një ditë ajo u rrëzua përdhe për t’u zgjuar më pas në shtratin e spitalit.’’-rrëfen mes lotësh Federica. Mjekët i kishin dhënë pak muaj jetë, por nëna e re (asokohe vetëm 36 vjeç) luftoi me mish e shpirt, për t’u përballur 11 vite më vonë me sëmundjen e të bijës.

”Nuk e kisha menduar kurrë që dhe mua mund të më ndodhte e njëjta gjë. Kisha në kollë të thatë prej disa muajsh, por nuk i kisha kushtuar rëndësi. Por më vonë pata një fryrje gjigante në qafë, çka më alarmoi. Pas analizave mjekët më diagnostikuan me limfomën Hodgkin, stadi i dytë. Për mamin nuk ishte e lehtë, por gjetëm të dyja dritë në fund të tunelit e ia dolëm mbanë.”-përfundon 19 vjeçarja, e cila para një jave mori lajmin e gëzuar se në trupin e saj nuk ka më asnjë gjurmë të kancerit.

SHËNIM: Limfoma Hodgkin (e njohur edhe si sëmundja Hodgkin) tenton të prekë moshat e reja, më së shpeshti ato që janë në fillim të  moshës 30 vjeçare. Në këtë lloj kanceri, qelizat në sistemin limfatik të quajtura limfocite (një lloj i qelizave të bardha të gjaku-t) bëhen abnormale dhe ndahen e rriten në mënyrë të pakontrolluar. Edhe pse Limfoma Hodgkin është një sëmundje serioze, shumë njerëz janë shëruar; shkalla e mbijetesës është mbi 80%.

Share With:
Translate »
444 Views