Flet babai i autorit të sulmit në xhami: Vetë jam katolik, por çuni u kthye në mysliman

Babai i Rudolf Nikollajt, Niko, ka folur pas ngjarjes së rëndë ku djali i tij plagosi pesë persona pas sulmit me thikë që bëri në një xhami të Tiranës.

Niko Nikollaj është shprehur se djali i ishte konvertuar në mysliman në fillime të demokracisë. Ai është shprehur se ishte dakord dhe pas kësaj, Rudolfi Nikollaj është marrë me xhamitë. 34-vjeçari ka vazhduar më vonë shkollën për frëngjisht, por për shkak të pamundësisë ekonomike e ka lënë dhe është marrë me picat.

Sipas babait, Rudolfi ka shkuar në Maqedoni dhe shoqërohej me persona të fesë islame. Pas kësaj periudhe, Nikollaj tha se i biri i ka kaluar në depresion. Fillimisht ai shprehet se pas kthimit nga Maqedonia ai nuk ishte më i njëjti dhe për këtë theksoi se “nuk e di se ça i futën, ndonjë çaj, ndonjë gjë pasi çuni nuk u bë rob më”.

Por para Vitit të Ri, 34-vjeçari ka kaluar në depresion të thellë. Shkak është bërë kthimi në aeroportin e Rinasit pasi nuk e lanë të shkonte në Itali dhe periudha e Covidit. Prej problemeve, Nikollaj ka treguar se djali i tij ka qenë i shtruar tek spitali psikiatrik në Tiranë. Shkak është bërë edhe plagosja me thikë që ka bërë në terminalin e autobusëve.

Madje Nikollaj shprehet se ka dalë burrë i pabesë përpara prokurorit dhe mjekut. Kjo pasi, 34-vjeçari duhej që të merrte ilaçe, por nuk i ka pirë ato në periudhën që është tërhequr në shtëpi nga babai.

Babai: Unë vetë jam katolik. Çunat më kërkuan mua pasi erdhi koha e demokracisë, filloi myslimanizmi, një hoxhë që rrinte këtu dhe i merrte kalamajtë e vegjël dhe me kthyer një kaur në mysliman e quante gjë të bekuar. Erdhi dhe më kërkoi mua, filloi çuni duke u fal me myslimanizmin. I thosha, bir ‘demokraci është, njerëzit katolikë janë kthyer në myslimanë’. Çunin e madh e doja shumë. Ai vazhdoi dhe u mor me xhamitë. Vazhdoi shkollën, e çova për frëngjisht.

Ku e vazhdoi shkollën?

Babai: Në Tiranë. Bëri një dy vite nuk i mbaroi të gjitha. U mor me pica, se nuk kisha lekë me këtë dhe filloi zanatin e picave. U bë shumë i mirë. Vazhdoi me shokët e vet. Erdhi këtu, më mori lekët që kisha unë dhe hapi një biznes në Peshkopi. Ai takoi lloj-lloj robi. Lloj-lloj mjekroshash.

Edhe nga Maqedonia?

Babai: Edhe nga Maqedonia. Ai iku dhe në Maqedoni. Aty nuk e di se ça i futën, ndonjë çaj, ndonjë gjë pasi çuni nuk u bë rob më. Kohët e fundit kaloi në depresion.

Sa kohë ka që kaloi në depresion?

Babai: Para Vitit të Ri kaloi në depresion. I bëra letrat për të shkuar në Itali. Në kthimin mbrapsht që i kanë bërë ata në aeroport, ai kaloi në depresion komplet. Edhe u mbyll. Ishte koha e COVID-it, kaloi dhe virusin. Para Vitit të Ri e takova unë. Ishte në spital.

Në cilin spital?

Babai: Ishte tek pesa. I thash doktorit, ‘unë jam katolik, djali mysliman’. Falet 7 vaktet, 8 vaktet, 10 vaktet. I thashë ‘çuni im është bërë mysliman  dhe kam qejf ta marr në shtëpi djalin’. Më mori në telefon dhe më tha të premten bjere në spital. Djali më tha ‘jam në rregull, do i pi ilaçet’. Kur shkova unë kësaj radhe pashë ilaçet nuk i kishte pirë. Mbylla muhabetet me çunin që ishte ngatërruar në terminal. Qe një çun i mrekullueshëm. Ata ma falën çunin. I shkova dhe prokurorit dhe më tha; ‘nuk ta jap letrën’. Ai ishte prokuror i mrekullueshëm, më tha; ‘ku e ke çunin?’ I thashë rrena prokurorit ‘e kam në spital’. Çunin e kisha në spital. U tregova burrë i pabesë. I kërkoj falje atij prokurorit.

Çfarë kërkoni tani?

Babai: Tani unë kërkoj që çuni im e bëri këtë gafë dhe pikërisht në vend të shenjtë, ai nuk është mirë me shëndet, por nuk kishte asnjë lloj arsye të ma bënte këtë punë. Të ma bënte këtë punë çuni im nuk kishte asnjë lloj arsye. I kërkoj falje atij prokurorit që e kam rrejt se tek fëmija, njeriu s’dika ça bëka. Nuk di ç’të flas më tepër. Kur e mora vesh në lajme, jam shumë i irrituar. Është një nga fëmijët më të mrekullueshëm të mitë. Ai është më i miri nga të gjithë. Nga koha që është kthyer nga Rinasi pas, ai kaloi në stres.

Ka kaluar Covid-in?

Babai: E kaloi dhe COVID-in me shumë stres. Nga Viti i Ri është shtruar 5 herë në spital. I kam raportet këtu. I kam ilaçet akoma këtu dhe nuk m’i pinte. Me fol me të thua se ai është gjeni. Të bëjë vaki që çuni im të rrëshqasë dhe të shkojë në vend të shenjtë, se pavarësisht se unë jam katolik, unë fenë myslimane e respektoj, prandaj i kam dhënë të drejtë pasi unë gruan e kam myslimane dhe fëmijës i kam dhënë të drejtë. S’do më shkuar në kishë, shko në xhami, por si njerëzit. Ky në xhami… e ka bërë dy herë, pavarësisht se i kam mbyllur ato probleme. Unë e kam fëmijë, nuk kam ku ta çoj. Ai s’duhet ta bënte këtë punë sepse doktorit i dola i pabesë se i thashë do të ta sjellë. I thashë të shkojmë të paktën ta takojmë sepse gjilpërën e bëri dhe e pata bërë plan që me datën 20 të shkonim dhe të bënim gjilpërën tjetër. 

 

Share With:
Translate »
171 Views