Flet psikologia: Autizmi, prindërit mund të bëjnë diferencën që në shenjat e para

Jeni një prind, e jo një mjek apo shkencëtar, por kur flitet për fëmijën tuaj, eksperti më i rëndësishëm jeni ju. Më mirë se kushdo e njihni atë fytyrë të vogël dhe mund të dalloni nëse ndriçohet kur ju hyni në dhomë. Ju më mirë se kushdo tjetër njihni gugatjet dhe belbëzimet e tij të para dhe mund të dalloni një heshtje të papritur.

Afërdita Kulla Bano, MSc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Kulla Bano, MSc. Psikologe Këshillimi

E dini mirë si sillet fëmija juaj kur sheh një lodër të re, kur takon një fëmijë të panjohur, kur merr pjesë në një festë apo kur shkon në një qendër komerciale. Ju e dini se çfarë e bën për të qeshur e çfarë për të qarë. E nëse pediatri ka parë qindra raste fëmijësh të sëmurë me otit apo dhimbje fyti, edhe ju diçka keni parë.

Keni parë fëmijë që luajnë në park e që zihen me njëri-tjetrin gjatë drekave familjare. Keni parë fëmijë të vegjël që luajnë kukafshehthi e më të mëdhenj që shkojnë në kopsht. Si prindër edhe ju ndoshta keni krahasuar fëmijën tuaj me ta, keni vënë re sa i ndryshëm apo i ngjashëm është ai me ta.

Natyrisht, jo çdo ndryshim përbën alarm për një çrregullim të mundshëm pasi çdo fëmijë është unik. Por nëse instinkti juaj ju bën të kuptoni se diçka nuk shkon, se diçka te fëmija juaj është komplet ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, apo diçka esenciale tek ai ka ndryshuar, besojini instinktit tuaj dhe kërkoni ndihmë tek ekspertët përkatës.

autizmi

Të gjithë prindërit mund të shqetësohen për zhvillimin e fëmijëve të tyre, e shpesh kërkojnë siguri tek ekspertët e fushës. Në fakt, studime të kryera në sallat e pritjeve të pediatrive tregojnë se 70% e prindërve kanë dyshime mbi zhvillimin dhe sjelljen e fëmijës së tyre, por kur diçka nuk shkon, frikërat dhe dyshimet bëhen gjithmonë më persistente. Disa prindër thjesht e ndiejnë që kur fëmijët janë tepër të vegjël, janë të ndryshëm, dhe kjo mund të bëjë diferencën.

Më poshtë listohen disa nga shenjat që prindërit duhet të vënë re te fëmijët e tyre, por duke qenë se spektri i autizmit është i gjerë nuk do të thotë që fëmija juaj i përket spektrit. Diagnostikimi i hershëm është propocional me mundësinë e suksesit terapeutik.

160125_r27577Kambana alarmi:

  • Nuk përgjigjet kur e thërrasin në emër
  • Nuk është i aftë të kërkojë çfarë dëshiron
  • Ka vonesë në të folur
  • Nuk merr komanda
  • Nuk tregon me gisht
  • Më parë ka folur disa fjalë e tashmë jo më
  • Nuk ka të qeshur sociale
  • Preferon të luajë vetëm
  • Paraqet kontakt të varfër me sy
  • Duket se është në një botë të vetën
  • Nuk ka interes për fëmijët e tjerë
  • Ka kriza agresiviteti
  • Është hiperaktiv, jo bashkëpunues
  • Nuk di si të përdorë lodrat
  • Ka hipersensibilitet për disa pëlhura apo tinguj
  • Ka disa rutina të pazakonshme
  • Nuk përdor asnjë shprehje spontane deri 24 muaj (jo ekolali)
  • Pëson regres në çdo fushë qoftë linguistike apo sociale në çdo moshë
  • Nuk buzëqesh apo nuk manifeston gëzim

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit që sjell deficite në zhvillimin  gjuhësor dhe atë social. Mund të manifestohet në çdo familje. Autizmi nuk zgjedh. Nuk është një sëmundje mendore dhe nuk shkaktohet nga traumat. Shkaku është neurobiologjik dhe simptomat mund të reduktohen nëpërmjet terapisë së hershme.

Shpesh prindërit mendojnë se disa aftësi të humbura të fëmijës mund të rifitohen me kohën dhe presin për muaj të tërë. Por duhet të tregohet kujdes sigurisht, pa krijuar panik, duke iu drejtuar specialistëve përkatës në mënyrë që të dallojnë rëndësinë e këtyre aftësive të humbura, në mënyrë që humbja e tyre të mos sjellë një humbje të kapaciteteve për njohjen e botës që i rrethon.

Share With:
Translate »
1223 Views