Floriana tregon për emrin e bebit, Adian, punën, dasmën dhe… bebin nr. 3

Pas largimit nga Shqipëria, ish-misi dhe njëkohësisht moderatorja Floriana Garo, nisi një jetë të re në Gjenevë të Zvicrës. Mes planeve për rikthim dhe një qëndrim atje, ajo celebroi dashurinë me avokatin Enis Daci si dhe solli në jetë vogëlushen Adia. Por tanimë është në përfundim të shtatzënisë së dytë të saj dhe pret të sjell në jetë një djalë. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, bukuroshja rrëfen ndjesitë e saj para se të vijë në jetë vogëlushi si dhe impenjimet e saj të shumta në jetën e përditshme.



“Që prej ardhjes time në Gjenevë, para 2 vitesh, jam e angazhuar me kohë të plotë në drejtimin e kompanisë tonë “Bona Fide Business”, një kompani ndërmjetësuese për biznese të ndryshëm dhe për zhvillimin e tregjeve të rinj në biznes. Krahas kësaj, ndihmoj me mbikëqyrjen e barit “Old Town Café”, që sapo kemi hapur në qytetin e vjetër të Gjenevës, gjithashtu, edhe berberhanes dhe qendrës estetike që kemi tashmë prej 1 viti e gjysmë ngjitur me barin”,- thotë Floriana.

Gjithashtu, ajo ka thënë se kanë në plan të sjellin dhe një fëmijë të tretë por këtë ja lënë në dorë fatit dhe kohës. Një businesswoman, mama dhe një bashkëshorte e devotshme, Floriana nuk ka më kohë për jetën e natës apo daljet e shpeshta në evente që realizonte përpara se të bëhej nënë.

Por përveç impenjimeve Florianën e shohim aktive edhe në rrjetet sociale ku na ka treguar ndër të tjera dhe arsyen e të mbajturit larg syrit të ndjekësve familjen e saj.

“Enisi nuk ka rrjete sociale dhe nuk i pëlqen të ekspozohet. Kurse vajza është ende shumë e vogël. Ajo nuk ka ndonjë të mirë nga të qenit në rrjetet sociale,” thotë ajo.

Qershia mbi tortë e jetës së saj është vetë familja dhe të qenit e përmbushur, por dasma e shumëpritur nga të gjithë nuk u pa pas ardhjes në jetë të Adias. Kur pritet të ndodhë dhe ç’planesh kanë së shpejti? Këto e shumë të tjera në intervistën e mëposhtme:

 Jeni nënë e një vogëlusheje të bukur të quajtur Adia, për pak do të sillni në jetë fëmijën tuaj të dytë. Keni menduar për emrin e vogëlushit?

Po, presim një djalë. Për emrin jemi duke menduar, por akoma nuk kemi ndarë gjë. Adias ia kam vënë unë emrin, kështu që e kemi lënë që im shoq t’ia vërë djalit.

Si ia dhatë lajmin për shtatzëninë e dytë bashkëshortit?

Unë shkova për një vizitë rutinë dhe në fakt u surprizova disi kur me tha doktoresha që isha shtatzënë. Sigurisht që e donim një fëmijë të dytë po ndonjëherë gjerat nuk dalin tërësisht sipas planit… Të dy, me tim shoq u gëzuam shumë.

Pothuajse familjet tani qëndrojnë tek numri “dy” i fëmijëve dhe e mbyllin ciklin e familjes. Po ju sa fëmijë dëshironi apo planifikoni të keni?

Ndoshta 3, po do t’ia lëmë kohës dhe fatit.

Sa ka ndryshuar jeta e Florianës pas fëmijës së parë. Cilat janë disa nga ndryshimet në jetë që nuk i prisnit që të hiqnit dorë?

Nuk kam menduar shumë për këtë. E gjej veten që në këtë fazë të jetës sime të dua të dal gjithmonë e më pak me mikeshat e mija, të punoj shumë, por pjesën e lirë të kohës dua t’ia përkushtoj vetëm familjes time. Kur ka evente ose takime për qejf pas pune, shpesh i shmang se më merr malli të rri me vajzën. Besoj se pjesa më e madhe e nënave ndihen kështu dhe kjo është e natyrshme.

Çfarë të mire ka sjellë mëmësia në karakterin apo dhe përditshmërinë tuaj?

Më ka bërë më pak egoiste dhe më shumë të përkushtuar në të mirën e familjes, jo vetëm të vetes time. Dita ime fillon dhe përfundon më herët, sepse këtë ritëm ka dhe vajza jonë.

Sa e vështirë apo e lehtë do të jetë për ju rritja e dy fëmijëve?

Jam e bindur që rritja e djalit do jetë më e vështirë, sepse kam krijuar tashmë eksperiencë me vajzën, por menaxhimi i dy fëmijëve, edhe pse unë kam ndihmë, sigurisht do të jetë më e vështirë. Por nuk më frikëson aspak kjo kur mendoj se kjo periudhë do zgjasë pak dhe fëmijët do kenë gjithnjë njëri-tjetrin.

A fle akoma me ju vogëlushja apo ka dhomën e saj?

Adia tashmë ka dhomën e saj. Kështu nuk i prishet ritmi dhe qetësia e saj.

Me çfarë po merreni për momentin përveçse me përkujdesjen ndaj vajzës dhe vetes për fëmijën e dytë?

Që prej ardhjes time në Gjenevë, para 2 vitesh, jam e angazhuar me kohë të plotë në drejtimin e kompanisë tonë “Bona Fide Business”, një kompani ndërmjetësuese për biznese të ndryshëm dhe për zhvillimin e tregjeve të rinj në biznes.  Krahas kësaj, ndihmoj me mbikëqyrjen e barit “Old Town Café”, që sapo kemi hapur në qytetin e vjetër të Gjenevës, gjithashtu, edhe berberhanes dhe qendrës estetike që kemi tashmë prej 1 viti e gjysmë ngjitur me barin.

Ju mungon televizioni? Keni ndonjë plan të riktheheni për ndonjë projekt këtej apo jeta e Florianës është në Zvicër tanimë?

Unë jetoj momentin dhe përfshihem krejtësisht në të tashmen, kështu që nuk para më rri mendja tek e shkuara. Por nga televizioni ruaj kujtime të mrekullueshme dhe e konsideroj një kohë të artë të jetës sime.

Çfarë ju mungon më tepër nga Shqipëria?

Njerëzit e mi dhe miqtë e zemrës, koha e ngrohtë e me diell dhe deti i jugut. Nëse linja direkte Gjenevë-Tiranë ka plan të zgjasë më shumë se një sezon, do të vij shumë më shpesh në Shqipëri.

A e keni mësuar Adian të flasë shqip? A do të ndjekë ajo mësimet në shqip kur të rritet, përveçse në gjuhën vendase?

Adias ne i flasim vetëm shqip. Shpesh unë i lexoj anglisht që ta vrasë veshin. Ajo nuk shkon akoma në çerdhe kështu që ka më pak kontakt me frëngjishten, po kur të shkojë, nuk do jetë problem ta mësojë.

Nëpër rrjete sociale nuk ju shohim ndonjë foto të vogëlushes apo edhe të bashkëshortit. Pse preferoni t’i mbani larg rrjeteve sociale?

Enisi nuk ka rrjete sociale dhe nuk i pëlqen të ekspozohet. Kurse vajza është ende shumë e vogël. Ajo nuk ka ndonjë të mirë nga të qenit në rrjetet sociale.

Në një interviste të mëparshme për “Bluetooth”, thatë që do të bënit dasmën pas lindjes së Adias. Tanimë që prisni fëmijën e dytë a do të ketë ndonjë ceremoni më parë apo pas saj? Nëse po, ku dhe kur pritet ta zhvilloni?

Ka qenë dhe mbetet një dëshirë e imja dhe e tim shoqi që të bëjmë një dasmë. Por ka disa gjëra më të rëndësishme që kanë marrë prioritet për momentin.

Share With:
Translate »
749 Views