Fluks aplikimesh për regjistrim në çerdhe, procedurat që do ndiqen

Çerdhet publike në kryeqytet po përballen me një fluks të lartë aplikimesh për regjistrim, ndërsa procesi ka nisur këtë të hënë dhe do të vazhdojë deri të premten.

 

Prindërit e interesuar duhet të paraqiten me dokumentacionin e kërkuar, në institucionin që i takon njësisë ku ata banojnë.

 

 “Sipas njoftimit që është dhënë nga drejtoria e çerdheve, duhet certifikatë familjare, certifikatë personale e fëmijës përkatës, duhet vërtetim page për të dy prindërit si dhe kontributet shoqërore të prindërve të fëmijës.”

 

Drejtoresha e çerdhes nr.1, Rozeta Hoxhallari qartëson se fëmijët që arrijnë moshën 3 vjeçare kalojnë automatikisht në kopësht dhe pas kësaj mund të bëhet vlerësimi se sa kapacitet ka çerdhja përkatëse, për të pranuar fëmijë të tjerë.

 

ROZETA HOXHALLARI

DREJTORESHE, ÇERDHJA NR.1

“Nëse nuk ka vende të lira çerdhja që ti aplikon, atëherë zgjidhja kush mund të jetë…çerdhet e tjera përreth dhe nëse nuk ka përreth, është zgjedhja e prindit se ku mund ta çojë fëmijën.”

 

Por sa duhet të jenë të ardhurat mujore të prindërve që mund të përballojnë mundësitë e tjera për kujdesin ditor të të vegjëlve të tyre?

 

Shefja e drejtorisë së përgjithëshme të çerdheve dhe kopshteve, Zhaneta Beqiri qartëson se kjo përcaktohet në varësi të aplikimeve që vijnë nga kategoritë që kanë prioritet.

 

ZHANETA BEQIRI

DREJTORESHE, DPÇK

“Janë fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijë të prindërve me nevoja të veçanta, fëmijë me statusin e jetimit, apo që vijnë nga familje monogame. Renditet gjithë numri i aplikuesve nga paga më e ulët të paga më e lartë dhe fillojnë marrin shërbim ata fëmijë, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi për të marrë një shërbim tjetër alternativ.”

 

Një ditë në çerdhe kushton 1300 lekë të vjetra. Aktualisht në kryeqytet ofrojnë shërbimin 43 çerdhe të cilat frekuentohen nga të paktën 4 mijë fëmijë.

 

Përqëndrimi i lartë i popullsisë së re në disa zona të caktuara të Tiranës, sikurëse zona e liqenit të thatë apo Don Boskos, kanë shtuar edhe më tepër fluksin e kërkesave.

Share With:
Translate »
104 Views