George Clooney u kërkon mediave që të mos publikojnë foto të fëmijëve të tij: Po ju rrezikoni jetën

Aktori George Clooney ka publikuar një letër të hapur ku kërkon nga mediat që të mos publikojnë foto që tregojnë fytyrat e fëmijëve të tij.

Clooney thotë se imazhe të tilla i vënë në rrezik dy fëmijët e tij, veçanërisht për shkak të punës së gruas së tij.

Amal Clooney është një avokate e të drejtave të njeriut dhe nxjerr në gjyq grupet terroriste, shkruan aktori.

Komentet e tij u botuan nga disa revista, duke përfshirë Variety, The Hollyëood Reporter dhe Deadline.

Aktori, i cili ka luajtur në Gravity dhe Ocean’s Eleven, tha se ai dhe gruaja e tij nuk përdorin rrjetet sociale dhe janë mbrojtës të privatësisë së fëmijëve të tyre.

Clooney tha se vendosi të shkruante letrën pasi pa fotot e vajzës njëvjeçare të aktores amerikane Billie Lourd të publikuara në internet.

Letra i është adresuar “Daily Mail “.

George dhe Amal Clooney janë prindër të binjakëve që kanë lindur në vitin 2017. Çifti janë të martuar që nga viti 2014.

Letra e plotë e George Clooney

Pasi pamë fotot e foshnjës njëvjeçare të Billie Lourd në publikimin tuaj dhe faktin që më pas i hoqët ato fotografi, ne do të kërkojmë që të përmbaheni nga vendosja e fytyrave të fëmijëve tanë në postimet tuaj.

Unë jam një personazh publik dhe i pranoj fotot shpesh ndërhyrëse si pjesë të çmimit që duhet të paguaj për të bërë punën time. Fëmijët tanë nuk kanë asnjë angazhim të tillë.

Natyra e punës së gruas sime e detyron atë të përballet dhe të gjykojë grupet terroriste dhe ne marrim sa më shumë masa paraprake që mundemi për të mbajtur familjen tonë të sigurt. Ne nuk mund t’i mbrojmë fëmijët tanë nëse ndonjë publikim vendos fytyrat e tyre në kopertinë.

Ne nuk kemi shitur kurrë një foto të fëmijëve tanë, nuk jemi në rrjetet sociale dhe nuk postojmë kurrë foto sepse të bëjmë një gjë të tillë do të vinte jetën e tyre në rrezik. Jo rrezik paranojak, por çështje të botës reale, me pasoja të botës reale.

Shpresojmë që do të pajtoheni që nevoja për të shitur reklama nuk është më e madhe se nevoja për të mbajtur fëmijët e pafajshëm nga objektivi.

“Faleminderit, George Clooney.”

Share With:
Translate »
144 Views