Gjuajtja e fëmijës me shpullë, një veprim i gabuar apo i nevojshëm me raste? Ç’thotë pediatrja Lira Gjika

Gjuajtja me shpullë ndaj fëmijës është një veprim i zakonshëm për shumë nëna, edhe sot e kësaj dite. Mirëpo, si ndikon ky veprim në psikologjinë apo karakterin e tij? Është gjuajtja me shpullë një veprim i gabuar apo i nevojshëm me raste?

Pediatrja Lira Gjika shpjegon se me këtë gjë jo vetëm që nuk po e edukoni fëmijën, por po i bëni atij më shumë dëme nga ç’mund ta kishit menduar.

“Kur një nënë apo baba, po edhe gjyshërit, i bien me shpullë apo pëllëmbë ose më keq akoma, rrahin një fëmijë për gabimet që bën, ata – prindërit, gjyshërit – i transmetojnë fëmijës përçmimin e tyre për të. Është e vërtetë që ata nuk e kanë qëllim këtë gjë, por veprimi i tyre këtë gjë transmeton. Dhuna ka në thelb të saj përçmimin për jetën dhe tjetrin. Fëmija është i parritur dhe nuk ka shumë mekanizma, që të mund të përballojë një eksperiencë të tillë dhune nga ata, që duhet ta mbrojnë e ta duan. Kur e godasim një fëmijë në trup, për fëmijën është t’i prishësh tërësinë trup-shpirt. Fëmija në këto raste, vuan fizikisht nga dhimbjet e goditjes, të cilat e trembin shumë, ndërsa psikoemocionalisht ai zhbëhet në një “gjë” pa vlerë, për veten e tij.

Një fëmijë i keqtrajtuar ndihet shumë keq, pasi nuk kupton pse e keqtrajtojnë të rriturit. Ai po përpiqet të bëjë si ata, ose i duhet pak ndihmë nga ata që të qetësohet. Mirëpo të rriturit nuk kanë “kohë”, “nerva” e “durim” dhe i bien shkurt, e godasin fëmijën, pa menduar se çfare përfton fëmija nga sjellja e tyre. Fëmija mendon se po të ishte i mirë prindi apo gjyshërit, nuk do të silleshin ashtu me të dhe këtu e ka zanafillën niveli i ulët i vetvlerësimit apo karakteri i dhunshëm që haset rëndom te të rriturit.

Share With:
Translate »



139 Views