Greis Petroviç rrëfen se si e mësoi lajmin e shtatzënisë dhe si ia tregoi partnerit
Vitin e kaluar, Greis Petroviç, modelja e njohur dhe themeluesja e agjencisë së modës ‘Greis Models’, ishte e ftuar në “Rudina” së bashku me vjehrrën e saj, zonjën Tefta, kuzhinieren e njohur që jep receta gatimi për të gjitha amvisat.
Duke rrëfyer për raportin e tyre të veçantë, Tefta dhe Greis folën edhe për hapin e radhës – atë që të dyja mezi po e prisnin. E para të bëhet gjyshe dhe e dyta nënë.

Lajmin e bukur që shumë shpejt do të bëhet nënë, Greis e ka ndarë me të gjithë miqtë pak ditë më parë edhe nga Instagrami i saj. Sot, ajo ishte e ftuar te “Rudina” për të ndarë momentin më të bukur, kur mësoi se do të bëhet nënë për herë të parë. Pas plot 7-vjetësh bashkëjetesë me partnerin e saj, Ilirin, Greis po jeton pritjen e ëmbël në kohën ideale: “Nuk e kam dashur më parë, por tani ishte koha e duhur”, – rrëfen ajo me emocion për lajmin e mezipritur.
Në muajin e katërt të shtatzënisë, modelja bukuroshe thotë se nuk ka marrë shumë kilogramë gjatë kësaj kohe, e ndien veten mjaft mirë, me gjithë sikletet e muajve të parë.

Ishin disa ndjesi që po i përziheshin, disa ndjenja të bëra bashkë që po i kalonte jo si zakonisht: “Kisha shumë punë në agjenci ato kohë, por kisha një ndryshim në gjendjen emocionale. Unë jam natyrë e qetë, bëhem rrallëherë me nerva, por po vija re që kisha disa shpërthime. Kuptova që kisha diçka tjetër dhe vendosa të bëja testin. Herën e parë që bëra testin dhe më doli pozitiv. Prita deri në mëngjes, sepse e dija që ishte më i sigurt në mëngjes”, – tha Greis e cila zbulon se e para që mësoi lajmin ishte mbesa e saj 3-vjeçare – që e mbajti mjaft mirë sekretin deri në fund.

Pas testit të dytë që gjithashtu doli pozitiv, erdhi koha që lajmi të ndahej. Iliri, pastaj motrat dhe e gjithë familja, mësuan se do të vinte së shpejti në jetë një bebe. Të gjithë e pritën shumë mirë, të lumtur për këtë lajm të mezipritur.
Lajmi i dytë, po kaq i bukur, ishte edhe gjinia e bebes. Greis do të bëhet me vajzë. Ashtu siç e donte. Gjatë gjithë jetës së saj e ka pasur ëndërr të jetë nënë e një vajze.

Po partneri si e priti? “Ishim për t’u nisur për diku dhe unë i thashë se nuk mundem të vij: “Nesër nuk mundem dot i thashë, se kam një takim me mjekun. Më dukesh se do bëhesh baba. I emocionuar më tha se nuk po bën shaka. Ishte moment shumë i bukur, jam shumë e lumtur”, – tha Greis.
Për emrin, Greis dhe Iliri akoma nuk kanë vendosur. Është herët, por e kanë të qartë se do ta pagëzojnë me një emër shqiptar.