Historia e dhimbshme e nënës që i vdiqën binjakët dhe mesazhi për djalin adoleshent | Video

Rubrika “Ka një mesazh për ty” tek “E diela Shqiptare” në Tv Klan, këtë të dielë vijoi me rastin e një nëne të vuajtur e cila kishte thirrur djalin e saj 13-vjeçar në studio.  Hajria nga Elbasani, nuk kishte pasur një jetë të lumtur martesore, përkundrazi asaj i është dashur të përballet me shumë probleme, ekonomike dhe jo vetëm. Tashmë sfida më e madhe për të janë rritja e fëmijëve dhe sidomos ajo e djalit të saj adoleshent, Ismailit.

Hajrie: “Historia ime është një kalvar i gjatë. Pasi u martova fillimisht, shkuan gjërat shumë mirë. Pastaj “mollë sherri” në familjen time u bë një orë. Një orë që gjoja i humbi kunatës, por e gjitha ishte një histori e sajuar për të më shkaktuar probleme në familjen. E marrin orën e fshehin diku, une nuk dija gjë fare…”

Ardit Gjebrea: Pse e bëri kunata këtë gjë?

Hajrie: Ajo donte që burri të merrte për grua dikë që ia kishte gjetur ajo një të afërmen e saj..

Ardit Gjebrea: U gjend ora?

Hajrie: Ajo orë u gjet pas 3 vitesh. E kishte sajuar ajo këtë vjedhje bashkë me njerëzit e saj. Por për mua kjo gjë solli vështirësi të mëdha. Bashkëshorti im për këtë shkak ushtronte dhunë ditë natë mbi mua. Dhuna filloi që në momentin e orës. Përdorte madje edhe rripin e pantallonave për të më rrahur. Nuk mundesha dot më ta duroja.

Ardit Gjebrea: Për sa vite vazhdoi dhuna në familje?

Hajrie: Vazhdoi shumë. 25 vjet. Pas ca kohësh më lindën të dy binjakët. Por nuk zgjati shumë dhe më vdiq i pari. Më vdes në duar. Prapë pas 2-3 muajsh sëmuret edhe tjetri, vdes edhe tjetri. Në ato momente që vdes tjetri, u bë varrimi në drekë, mirëpo një grua e moshuar e lagjes, duke qenë se e dinte se unë isha njeri pa përkrahje dhe i vinte shumë keq për mua, dhe më pyet nëse janë larë rrobat e foshnjes që më kishte vdekur. I thashë që nuk di gjë. Atëherë po nuk pate njeri më tha, dërgoj unë vajzën time t’i lajë. Ndërkohë kunata po përgjonte pas murit. Pas varrimit vjen bashkë me të shoqin dhe më pyet për bisedën që pata me gruan e moshuar të lagjes. Në atë moment filloi sherri, kunata dhe kunati im më bënin me faj pa pushim. Në ato momente isha me temperaturë, sapo kisha humbur fëmijën tim, trishtimi ishte i madh.

Ardit Gjebrea: Pse nuk u ktheve në shtëpinë e prindërve të tu?

Hajrie: Nuk kthehesha dot sepse ata donin të më largonin, dhe unë prandaj qëndroja për mos t’ju bërë qejfin atyre.

Ardit Gjebrea: Linde fëmijë të tjerë më pas?

Hajrie: Po linda edhe fëmijë të tjerë. Mendoja se do të kalonte kjo periudhë dhe burri im nuk do të më dhunonte më. I kërkova burrit të blinim një makinë qepëse, pasi unë dija të qepja. Rrija deri vonë natën, punoja shumë. Nuk e përballoja dot se kisha edhe fëmijën. Dhuna vazhdonte përsëri.

Ardit Gjebrea: Pas disa vitesh linde prapë një djalë tjetër?

Hajrie: Po, linda dhe një djalë tjetër Ismailin. Djali i madh ishte 9 vjeç kur lindi Ismaili. Ismaili lindi vetëm 900 gramë. Vetë isha me tension të lartë.

Hajria ka thirrur djalin e saj të vogël në studio duke qenë se prej 4 vitesh ai nuk shkon në shkollë, për shkak të mundësive të pakta ekonomike që familja kishte pas shpërnguljes në Tiranë.

Hajrie: Unë shkova në çdo shkollë, asnjëra nuk ma pranoi. Donin të shihnin kontratën e shtëpisë, por unë një të tillë nuk e kisha. Burri nuk më mbështeste. Djali kishte shumë qejf të shkonte në shkollë, i vinte turp nga shokët. Ai kishte filluar duhanin, ikte kohë pa kohë nga shtëpia. Më shqetësonte shumë. Mendoja se do më ikte fëmija nga duart.

Mesazhi në studio: Lili ti e di si të ka rritur mami ty. Dhe unë bëra një gabim që erdha në Tiranë, por e bëra për të ardhmen tënde. Por unë të premtoj që do bëj çdo gjë të mundur që ti të shkollohesh. Ti i di shumë mirë sakrificat e mia për juve. Kam ardhur vetëm për ty Ismail. Prandaj do më japësh fjalën që cigaren nuk do ta pish më, dhe do vazhdosh shkollën. Do t’i lësh të gjitha mbrapa sepse asgjë s’është më e rëndësishmë se shkolla. Do bëj gjithçka për ty.

Ardit Gjebrea-Ismailit: Tani që le të themi sapo e ke nisur cigaren, më jep fjalën që do ta lësh?

Ismaili: Po ju jap fjalën.

Biseda më pas ia lë vendin një përqafimi të ngrohtë nënë e bir.

Share With:
Translate »
699 Views