Historia e rrallë e Laura-s: Pasi hoqa dorë nga trajtimet rraskapitëse nëpër spitale, u bëra nënë 46 vjeçe. Ngjan si apokalips…
Përmes një artikulli te “The Guardian” që vjen në formë rrëfimi, Laura Barton ka një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat që mezi presin të bëhen nëna e që mbase e kanë humbur besimin.
“5 ditë para se të festoja ditëlindjen time të 46-të, solla në jetë fëmijën tim të parë. Për javë të tëra nuk mund t’i vija një emër, nuk e thoja dot me një fjalë të vetme gjithë ndjesinë. Të sjellësh në jetë një bebe është magjike, por të bëhesh nënë në këtë moshë është e papërshkrueshme. Mëmësia në këtë fazë është aq sa një eksperiencë e rrallë dhe e bukur, po aq e ndërlikuar. Gjatë gjithë muajve të gjatë të shtatzënisë dhe javëve të para pasi erdhi djali im i vogël, ndjeja një dyshim të çuditshëm, sikur ardhja e tij duhet t’i atribuohej një akti magjie ose shkencës…Pas një aborti dhe periudhës së gjatë të këmbënguljes për t’u bërë nënë, unë triumfova. Të afërmit e mi janë shokuar kur u kam thënë se kjo shtatzëni erdhi krejt e natyrshme, sepse siç dihet gjasat që të ndodhë kështu pas moshës 45 vjeçare, janë më pak se 5%. Më duket vetja si Indiana Jones që kap kapelen e tij para se t’i mbyllet dera para syve. Disa e kanë cilësuar “fëmija i menopauzës”. Megjithatë, kam pasur një ndjenjë se ka diçka në lidhje me shtatzëninë time që më është dashur të shpjegoj. Në biseda me mamitë, konsulentët, miqtë, të huajt, ka qenë e vështirë të mos i referohesha fillimisht moshës sime, të bëja shaka me të, dhe në fund të thoja se “ja mua më ndodhi”. Është shumë munduese për gratë kur pyeten vazhdimisht “pse nuk ke fëmijë?”
Fertiliteti është një pjesë kaq private e jetës së dikujt e që shkon përtej vetvetes, por fatkeqësisht i nënshtrohet gjithmonë spekulimeve dhe marrjes në pyetje. Nuk ka qenë e thjeshtë për mua të kaloj dhe në këtë fazë. Para disa vitesh isha fiksuar me seancat në spital, njëra pas tjetrës. E kisha menduar dhe të adoptoja, kisha menduar çdo formë të mundshme për të pasur një fëmijë. Madje një herë na kanë ofruar embrionet e një çifti tjetër. U lodha shumë. Më dukej sikur nuk po i përballoja më efektet rraskapitëse të trajtimit për fertilitetin dhe e binda veten që duhet t’u gëzohesha atyre që kisha. Udhëtime, spontanitet, partneri im, nipërit, miqtë. Fiks në momentin që as nuk po e vrisja mendjen dhe e kisha mbyllur si kapitull, unë zbulova se isha shtatzënë.
Nuk dua që historia ime të ngjajë si një “përrallë” pas dëshirës së madhe të një gruaje për t’u bërë nënë. Nuk ka asnjë truk pas saj. Nuk kam marrë asnjë suplement të veçantë vitaminash apo regjim të caktuar, s’kam asnjë këshillë. Ishte thjesht fati im!
Nuk kalova një shtatzëni të thjeshtë, më ka shoqëruar gjithnjë frika e abortit. Megjithatë pas disa muajsh nuk mendoja më kështu, thjesht e pyesja veten “kur?””Cili frut jemi tani?” , ishte pyetja që tani më bënin miqtë e mi. Rritja e fetusit matet shpesh me madhësinë e frutave dhe perimeve, fara e lulëkuqes, kungulli, boronicë, mollë, etj. Unë fillova të blej rroba për të vetëm pasi e ndjeja teksa lëvizte në barkun tim. Kur shkonim për të parë sa ishte rritur bebi, thellë në tru qëndronte mendimi se diçka e keqe mund të ndodhë. Askujt s’ja kam shprehur këto shqetësime, kam shkuar në punë, kam udhëtuar, kam ndjekur kurs të joga-s deri një ditë para lindjes. Ta mendosh sa ëndrra të tmerrshme shihja shpesh: fluturime të humbura, vazo të copëtuara, vizione të errëta.
Por djali im sikur solli një diell të dytë për mua. Jam më pak e fokusuar në karrierë, por më e lumtur. Jam më pak egoiste, ankohem më pak, dal më shumë dhe i gëzohem jetës më shumë. Mbase nuk jam më e disponueshme për të dalë si dikur për një pije apo darkë, por kam rilindur si njeri. Jam e habitur me veten që kam kaq shumë energji pavarësisht lodhjes nga kujdesi ndaj djalit tim. Kur zgjohem për ta ushqyer në 4 të mëngjesit, e gjej veten duke menduar se si në 20 vitet e fundit të gjitha momentet në punë, restorante, koncerte, udhëtime…Më kanë përgatitur! Mendoj se në këtë moshë unë jam një nënë shumë më e mirë sesa do të kisha qenë në të 20-at ose 30-at e mia. Kam bërë më shumë, kam parë më shumë, kam kaluar kohë për të njohur veten dhe për ta pëlqyer në çdo detaj. Tani kam një forcë që vite më parë nuk e zotëroja.
Djali im lindi pak pas orës 9 të mëngjesit në fund të tetorit. Në sallën e lindjes bashkëshorti im vuri këngën “One Fine Morning” të Bill Callahan. Nuk mund të flisja. Mund të shikoja vetëm fytyrën e tij të vogël dhe të mbushesha në frymë. Ata që janë bërë prindër shpesh u thonë atyre që nuk janë bërë ende “se ju nuk e dini çfarë është dashuria derisa të keni një fëmijë”. Kjo nuk është e vërtetë. Fëmijët thjesht nxjerrin në pah gjithë anët tona më të mira. Tashmë e kam kuptuar se sa shumë dashuri mbajmë brenda vetes ne njerëzit. Dashuria që kam për djalin tim është e thellë, e madhe, por edhe e njohur. Është po aq madhështore sa një mëngjes i ri.
Të gjithë jemi të aftë të duam kaq fort, edhe nëse s’kemi sjellë në jetë një fëmijë. Thjesht na duhet ta lejojmë veten. Unë e paskam ndjerë gjithnjë dashurinë të shoqëruar me dhimbje, mbase nuk u kam besuar shikimit të njerëzve. Tani, kur i vogli im më shikon, unë fokusohem. Si ka mundësi?! Paskam qenë kaq e trishtuar dhe e shkëputur nga vetja ime. Po ndaj dhe një episod të fundit. Vite më parë unë pësova një abort. Dola dhe shëtita me makinë herët në mëngjes nëpër shkretëtirën e Kalifornisë për të parë një skulpturë që quhet “7 Malet Magjike”. Në pothuajse askund, unë po kërkoja ngjyrat. Ndërsa vozisja, dëgjoja “One Fine Morning”. Pa pushim, përsëri dhe përsëri. Është kënga e fundit e albumit Apocalypse të Callahan-it dhe tekstet e saj të japin një perceptim ndryshe për jetën. Nëse do i vija një emër tjetër mëmësisë, do të ishte apokalips! Më duket sikur jam çliruar, më duket sikur kuptoj më shumë çdo gjë ndodh përreth./