Historia e trishtë e Chris është arsyeja pse në të gjithë botën sot është Dita e Dëshirave
Dita Botërore e Dëshirave (World Wish Day) nuk është thjesht një datë në kalendar. 29 prilli është një ditë që buron nga një histori e vërtetë që preku zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën.
Gjithçka nisi në Arizona, SHBA, në vitin 1980, kur një djalë 7-vjeçar me leukemi, Chris Greicius, kishte një ëndërr: të bëhej polic një ditë dhe të kapte djemtë e këqij.
Departamenti i Policisë në Phoenix bashkëpunoi për t’ia realizuar dëshirën. Ata i dhanë uniformë të bërë me porosi, e shëtitën me helikopter dhe e shpallën “oficer nderi”.
Kjo përvojë, që Chris e përjetoi me një lumturi të papërshkrueshme pak para se të ndërronte jetë, frymëzoi lindjen e fondacionit “Make-A-Wish”, i cili sot është një nga organizatat më të njohura në botë për realizimin e dëshirave të fëmijëve me sëmundje të rënda.
29 prilli u shpall zyrtarisht si Dita Botërore e Dëshirave, në nder të dëshirës së parë të realizuar, një simbol që tregon se një dëshirë e realizuar ka fuqinë të ndryshojë botën e dikujt.
Që prej asaj dite, Make-A-ëish ka realizuar më shumë se 550,000 dëshira në mbi 50 vende, dëshira që sjellin buzëqeshje, forcë, dhe mbi të gjitha shpresë.