Historia frymëzuese e Mimit, adoleshentes së pastrehë që studionte nën dritën e qirinjve!

Mimi Beard ngeli pa shtëpi në moshën 16-vjeçare. Kur u zhvendos në një strehë, ajo ishte vajza e vetme dhe më e reja aty. Ajo përshkruan sesi mbijetoi, duke u mbështetur te bankat e ushqimit (një vend ku rezervat e ushqimit, nuk prishen apo hidhen dhe iu jepen njerëzve në nevojë), dhe te drita e qiriut. Dritare.net ju sjell të përkthyer në shqip, historinë frymëzuese të Mimit, vajzës që nuk e mposhti varfëria e skajshme.

“Dy vjet më parë isha e përhumbur. Një rrëmujë e madhe në lidhje me shkollimin tim, punëtorët sociale, këshilltarët, ndërrimin e shtëpive. Babai u largua nga ne kur isha katër muajshe, m’u desh të kujdesesha për nënën time që vuante nga probleme mendore dhe fizike.

Kur isha 16 vjeçe u largova nga shtëpia. U vendosa në një konvikt në Penzance, ku isha vajza e vetme dhe më e reja. Nuk kisha mundësi tjetër, nuk kisha ku të shkoja. Të gjithë mendonin se unë kisha shkaktuar probleme në shtëpi dhe ata më përzunë. Ishte e vështirë t’i përballoje këto paragjykime.

Në shkollë më ngacmonin shumë, kështu që unë nuk shkoja në mësim, por vetëm kur kisha provime.

Shkollën e mesme  e mbarova me mesatare 8, bëra ç’munda për ta çuar në maksimum nivelin tim.

U transferova në një kolegj, i cili nuk kishte një emër aq të mirë. Askush nuk e kishte arritur nivelin A aty, gati 100% e qiramarrësve kishin braktisur arsimin, kështu që unë e dija se mosmarrëveshjet ishin kundër meje. Më duhej të paguaja disa fatura atje dhe nuk kisha shumë para. Sa mund ta përballoja energjinë elektrike? Kisha mjaftueshëm para sa për të ngrohur dushin dhe të lahesha? A duhet t’i jepja përparësi ushqimit?

Nuk mund t’i numëroj dot orët që më është dashur të studioj me qiri. Pronari më thoshte gjithmonë se kishte shumë qiri në dhomën time, dhe do t’i vija zjarrin ndonjë ditë.

Të gjithë festonin  e pinin darkave, ndërsa unë rrija në qoshen time duke studiuar. Megjithëse është periudhë që e urrej, duhet ta pranoj; unë hoqa dorë nga studimi, në vitin e parë për t’u argëtuar. Ndihesha e lodhur, nuk shihja ndonjë rrugëdalje. Më e keqja ishte Halloween 2017-të, kur mora një mbidozë dhe rashë në koma. Mezi shpëtova. Jam me fat që u zgjova, dhe më pas reflektova.

U strehova në një strehimore që e kishte kompania e teknologjisë Hi9. Pronarët panë diçka të mirë te unë. Më morën pranë tyre, më mbështetën, më bën krahun e tyre të djathtë dhe njeriun që unë jam sot.

Kuptova që rrugën e duhur mund ta gjeja vetëm përmes studimeve. Fillova të studioj shumë, pasi jeta ime varej nga studimi.  E dija që në moshë të re nuk do të ecja kurrë në të njëjtën rrugë me miqtë e mi, por kjo nuk do të thoshte se nuk mund të kisha sukses.

Ndërsa moshatarët e mi aplikonin për në universitet, unë kërkoja një divan për të fjetur, sepse isha përsëri e pastrehë. Kur miqtë e mi shkuan në mësime private, unë shkova në bankën e ushqimit. Ata na sigurojnë bazat, por nuk janë ushqimi i duhur. Çdo ditë hanim vetëm makarona dhe oriz.

Por pasi kalova vitin e parë, mendova seriozisht për një karrierë si financiere. Unë punoja në Hi9 mbrëmjeve dhe fundjavave, duke mbushur aplikimet për grante dhe mësuar për teknologjitë. Megjithëse nuk kisha përvojë, dashuria ime për studime rreth biznesit më nxiti. Me atë, me pak besim dhe mbështetje, e shtyva vetën dhe aplikova.

I shkrova firmave të kontabilitetit, duke shpresuar për përgjigje. Aplikova në katër firmat më të mëdha të kontabilitetit, ndër to KPMG, duke ditur që dhjetëra e qindra njerëz kishin aplikuar.

Mendova se nuk kisha shanse të hyja, por nuk i dihet fatit. Sidoqoftë, çfarë do të humbisja?

Procesi ishte i gjatë, me provime, ese dhe intervista me video. Nuk mund t’i mbaja gjithë kohës rrobat e gjëra, kështu që Kate (pronarja e Hi9) më dha ato që më nevojiteshin. Për herë të parë jam veshur me rroba të shtrenjta, më shumë nga sa kam pasur ndonjëherë.

Pyesja veten shpesh: “Pse do të zgjidhem unë, s’kam ardhur nga një shkollë e mirë?”

Dhe ju mund ta imagjinoni si jam ndierë kur hapa email-in dhe lexova se më kishin pranuar. Në ditën time të parë unë qava, sepse isha e vetmja që nuk kisha shkuar në kurse private, nuk mund ta përballoja të qëndroja në një hotel gjithë natën. KPMG-ja na informoi se do të na lejohej të ndjekim një rekrutim në firmë pasi kishim përfunduar disa nga provimet, por megjithëse e dija që doja të isha në kontabilitet, nuk isha i sigurt se KPMG ishte aty ku unë patjetër doja të isha. Unë përfundova edhe vitin e dytë, mora një C në psikologji, B në ekonomi. U kualifikova në nivelin e parë, në Shoqatën e Teknikës së Kontabilitetit.

Unë isha shumë e lumtur sepse notat nënkuptonin se do të filloja një shkollim në Francis Clark në Cornwall. Unë jam akoma atje tani dhe po shkon vërtet mirë. Po planifikoj të qëndroj me firmën deri kur mbaroj studimet në fillim të vitit të ardhshëm.

Unë tani jam 20 vjeçe dhe shpresoj se historia ime do të ndihmojë shumë njerëz. Nëse punoni shumë mund të dilni nga një situatë e vështirë!/Përshtati nga BBC: Kadrije Çako

Share With:
Translate »
404 Views