Humb jetën nga Covid një fëmijë 5 vjeç

Një fëmijë vetëm 5 vjeç ka humbur jetën nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Mësohet se i mituri nga Saranda që vuante edhe nga sëmundje të tjera kronike kishte 8 ditë që trajtohej në spitalin e qytetit të tij ku tamponi kishte rezultuar negativ.

Të hënën në mbrëmje ai është sjellë me urgjencë në Spitalin Pediatrik Tiranë në gjendje të rëndë për shkak të bllokimit të mushkërive dhe tamponi rezultoi pozitiv. Ky është rasti i dytë i fëmijëve që humbin jetën nga Covid pas një fëmije 16 muajsh që ndërroi jetë në Nëntor të 2020.

Ai është një nga 8 viktimat që ndërruan jetë nga Covid në 24 orët e fundit. Të tjerët i përkasin Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Sarandës, Tepelenës dhe Korçës. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 158 pacientë, nga të cilët 14 janë në gjendje më të rënduar.

Një rritje kanë pësuar edhe rastet e reja pasi nga 3559 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë me COVID, 650 qytetarë, 252 prej tyre u identifikuan në Tiranë ndërsa të tjerët në Elbasan, Fier, Shkodër, etj. Aktualisht janë 7258 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. Në 24 orë janë shëruar 482 qytetarë duke e çuar numrin e tyre në mbi 172 mijë që nga fillimi i epidemisë.

Share With:
Translate »
152 Views