Humbi dy djem në aksidentin tragjik në Gjermani, babai rrëfen si e mori lajmin: Tim bir që shpëtoi e gjeta në gjendje shoku

Aksidenti tragjik i së martës, ku një tren në Gjermani përplasi për vdekje Hasan Arifaj, 17 vjeç dhe vëllai i tij, Bleriani, 13 vjeç i ka tronditur të gjithë.

Të miturit ishin nisur për në shkollë dhe bashkë me ta ishte edhe vëllai i tyre 14-vjeçar, Arigoni, i cili i shpëtoi mrekullisht aksidentit, pa tragjedinë e vellëzërve me sy dhe më pas e telefonoi babain e tyre, Arifin, për t’i kërkuar që të shkonte në stacionin e trenit.

Sot fshati Ratish i Epërm i komunës së Deçanit, prej nga vjen kjo familje që migroi në Gjermani rreth 30 vjet më parë, ishte mbushur me njerëz e automjete, të cilët vinin për kryeshnosh.

Gazeta Express ka zhvilluar një bisedë me babanë e djemve, Arif Arifajn, i cili mes dhimbjes së madhe ka rrëfyer ngjarjen.

Nga tre djem tani ka vetëm një, për çka e falënderon Zotin që i ka shpëtuar djali i dytë.

“Në vitin 1989, jam shku në mërgim. Kam kriju një familje dhe kisha tre djem. Hasanin, Arigonin dhe Blerianin. 17 vjeç, 16 tjetri dhe i vogli 14 vjeç. Rasti tragjik ka qenë që si zakonisht fëmijët shkojnë në shkollë, unë banoj në një qytet afër Mynheni-it, Bavari”, ka rrëfyer Arifi.

Për djalin e madh, Hasanin, ai tha se ka qenë nxënës shumë i zoti, ndërsa djali i vogël ëndërronte të bëhej futbollist.

“Hasani ka qenë një nxënës shumë i mirë, ka qenë një nxënës shumë i zoti, kështu që atë ditë, si zakonisht shoqja ime i merr fëmijët për me shku në shkollë. Mirëpo, pak ndoshta me vonesë, qysh fëmija shkojnë në shkollë dhe i ka dërgu me makinë deri afër aty. Mirëpo në atë kohë ka ardhë treni që këta duhet të udhëtojnë me ta dhe i kanë mbyllë ato pengesat që mos me kalu automjetet dhe njerëzit. Këta tu mendu që të shkojnë ta nxajnë trenin që mos me ikë, edhe ata kanë qenë të tre, dy të parët e kanë parë trenin kanë ndalu dhe kanë mendu që treni ka ardhë dhe nuk ka tren tjetër dhe kanë nxituar të zënë trenin. Në atë moment ka ardhë treni regjional që ndalet veç në stacionet kryesore dhe me shpejtësi, siç e dina çfarë trena janë në shtetet e perëndimit, i ka marrë me vete dy djemt, Hasanin dhe Blerianin. Kështu që ka dashtë Zoti, dy të mi marre, një të ma lejojë. Ka mundur të jetë një tragjedi më e madhe. Ka pas ndoshta 40-50 centimetra që ka mundur ta marrë edhe tjetrin…”, vazhdon rrëfimi i tij.

Lajmin për aksidentin që ia mori dy djemtë, Arifi e mori nga djali i dytë, i cili e telefonoi dhe i tha që të shkonte te stacioni i trenit.

“Lajmin për këtë rast tragjik e kam marrë prej djalit që ka shpëtuar. Megjithëse ne e kemi të ndaluar ta përdorim telefonin. Por kur dikur e mora telefonin e pash që më thirri prap , më tha babi eja të lutem te stacioni se Hasanin dhe Blerianin i ka zënë treni. Ka qenë një shok për mua. Gjatë rrugës nuk kam menduar si do të vozis, me një shpejtësi jo të dëshirueshme sesi duhet arrita në vendin e ngjarjes në stacion. Edhe gjatë rrugës tentova të di a janë gjallë por s’më treguan. Kur s’më treguan, unë e dita që kanë vdekur”, tha më tej ai.

“E kam pa djalin tim dhe shoqen time në gjendje shoku”, përfundoi Arifaj.

Këtu përfundon rrëfimi i kosovarit, që nesër ptitet t’i varrosë dy djemtë e tij në Kosovë.

Share With:
Translate »
1573 Views