“I dua fëmijët e mi dhe dua të jetoj ende për t’i parë të rriten, historia e trishtë e një nëne HIV pozitive

“Jam 45 vjeçe dhe e vetme. I humba prindërit e mi, kur isha 17 vjeçe dhe më vonë u divorcova sepse ish- bashkëshorti më braktisi bashkë me  fëmijët tanë. Një ditë, shtatë vite më parë, fillova të vija re gjëra të çuditshme në këmbët e mia. Më vonë, nisa të kisha temperaturë, kështu që shkova n ëspitalin në Kinshasa. Tani e di që jam HIV pozitive dhe se ato çfarë kam në këmbë janë si pasojë e një kanceri që shoqëron HIV, Sarkoma e Kaposit.

Mirëpo në fillim nuk dija asgjë. Mendoja se ishte malaria, apo ethe tifoide. Kur i pyeta infermieret se çfarë dyshonin mjekët për mua, nuk më thoshin asgjë. Vetëm një prej tyre më tha: “Largohu, ne e dimë me çfarë je”. Pas këtyre fjalëve, një infermiere tjetër i shpjegoi motrës sime se isha konfirmuar si HIV pozitive. Nuk kisha asnjë mundësi tjetër përveçse të paguaja për mjekimet e mia. Këtë gjë e bëra në fillim, por kur më mbaruan të ardhurat nuk kisha më mundësi të blija antiviralët dhe as nuk m’i jepnin me rimbursim.

Kur dola nga spitali, nuk kisha asnjë mjekim dhe asnjë ku të mbështetesha. Për fat të mirë, ia shpjegova situatën time një mikeshe, e cila më çoi në një qendër shëndetësore. Atje më dhanë mjekim, por nuk më shpjeguan asgjë se për çfarë ishin ato ilaçe. Pasi i përdora, fillova të ndieja shumë shqetësime. Fytyra dhe trupi m’u enjtën, nuk kisha mundësi as ta hapja gojën apo sytë, sepse isha komplet e fryrë dhe me dhimbje. Ndoshta ishte një formë alergjie, nuk e di.

Shkova sërish në qendrën shëndetësore dhe stafi mjekësor ma ndaloi mjekimin. Ndoshta se nuk kishin ilaçe për të ma vazhduar, ndoshta për shkak të gjendjes sime të rënduar. Këtë gjë nuk e kuptova kurrë. Më mbajtën aty disa ditë, derisa u përmirësova.

Për fat të mirë, në këtë qendër kam njohur persona të tjerë me të njëjtën sëmundje si e imja, të cilët më mbështesin. Shumë njerëz më kanë ndihmuar për të siguruar antiviralët, të cilët kushtojnë realisht shumë. Askush nuk e di se si është të jetosh me një sëmundje që dita-ditës rëndohet. Është e vështirë dhe ndihesh gjatë gjithë kohës e pafuqishme. Nuk ke fuqi të çohesh nga shtrati. Prekesh shpesh nga infeksionet në mushkëri dhe në rrethin tonë, për shkak të COVID-19, kanë humbur jetën shumë persona. Unë shpresoj shumë të jetoj gjatë për fëmijët e mi. E dua jetën, i dua fëmijët e mi dhe dua të jetoj ende për t’i parë ata të rriten“.

Share With:
Translate »
69 Views