‘I kërkova Zotit një mrekulli’, Visjan Ukcenaj përlotet kur kujton çastin më të bukur të jetës

Ju qeshni shumë çdo javë me humorin e Visit, me çdo personazh të tij në “Klanifornia”, me dialektet nga të gjitha zonat e Shqipërisë, ndaj e keni të vështirë kur ai del nga roli dhe vesh kostumin e tij të vërtetë. Nata e sotme në Piter Pan, veç humorit që shkakton ai kudo që shkon, kishte edhe Visjanin – jashtë aktorit që njohim e që shohim çdo javë.

Me fëmijët nuk e kishte aspak të vështirë për ta gjetur gjuhën, sidomos tani që është bërë baba i një djali të vogël, Divin, megjithatë, sa herë pyetjet nëpër intervista i bëhen për familjen, bashkëshorten apo tani edhe të birin, Visi i ka gati lotët – të vërtetët.

Edhe sonte kështu ndodhi në Piter Pan. Pyetjet ngacmuese të fëmijëve, Visi i priti me shumë sportivitet dhe humor, ama kur erdhi radha te pika e dobët, ishte e vështirë t’i ruante emocionet.

Pyetjes së Alketës nëse ka qenë i pranishëm në çastin kur lindi Divin, Visi iu përgjigj me një “po”, duke shtuar se ai çast do të mbetet një nga më të mrekullueshmit në jetë: “Po, kam qenë në sallë kur erdhi në jetë Divin dhe ka qenë ndër gjërat më të mrekullueshme të jetës, sepse nuk ka gjë më të bukur sesa të shohësh krijesën tënde të vijë në jetë”, – tha ai duke e mbajtur me vështirësi dridhjen e zërit.

Gjithçka që ka shënuar ndryshime kaq të mëdha e të bukura në jetën e Visit, ai tashmë i ka edhe të pikturuara edhe në lëkurë. Datën 10.12.2010 – ditën e lidhjes me Jonën, emrin e të birit, trininë e shenjtë, por po ashtu ka tatuazh edhe një frazë: “I kërkova Zotit një mrekulli, më solli Divin…”

Natyrisht, u përlot… U fut në një sektor emocional, siç e quajti ai, ndaj këtu lotët dalin vetë. Prandaj edhe publiku e ka gjithmonë për zemër… Sa herë artistë si Visi përcjellin tek ai emocione të gjalla.

Share With:
Translate »
577 Views