Interneti pa kontroll, fëmijët e përdorin pa mbikëqyrje nga prindërit

Çdo ditë e më shumë, fëmijët po bëhen pjesë e botës dixhitale, ku veç informacioneve të larmishme i ekspozon ata ndaj një mori rreziqesh, në një zonë të pasigurt.

Të dhënat nga UNICEF tregojnë se mosha mesatare kur fëmijët kanë aksesuar internetin për herë të parë është 8 vjeç duke qëndruar mesatarisht online 3 orë në ditë. Por 37% e fëmijëve të anketuar në Shqipëri pohojnë se e kanë përdorur internetin edhe më herët se nga mosha 8 vjeçare.

Përgjithësisht, fëmijët kanë pohuar se nuk supervizohen nga familja dhe se ata kanë më shumë aftësi teknologjike online se prindërit e tyre. Ndaj, kontrolli prindëror për të siguruar qasje drejt përmbajtjeve cilësore në internet është thelbësor.

“Rrjetet sociale cdokush ka atë maninë që t’i ketë, por prindërit më kanë imponuar dhe kanë këmbngulur që të mos i përdor. Internetin mund ta përdor për informacionet që më duhen mua në shkollë, pasi aty mund të shfaqen imazhe që nuk janë për moshën tonë”, thotë Kejsia Luli, nxënëse.

Mamaja e 14 vjeçares, Elda tregon se nuk e lejon vajzën të qëndrojë më shumë se 1 orë në ditë në internet, dhe këtë kohë që e harxhon aty i qëndron pranë.

“Mundohem që kur ajo ka nevojë për programin e shkollës për të studiuar, të jem dhe vetë me të.. ta kontrolloj vazhdimisht deri në një moshë të caktuar që ajo ta kuptojë vetë dëmtimet që mund t’i vijnë nga interneti për imazhin e saj”, shprehet Elda Luli.

2

Ndër të tjera, roli i politikave për mbrojtjen e fëmijëve nga interneti është I domosdoshëm; si udhëzimi që ndalon telefonat këtë vit shkollor.

“Prindërit, ata na kanë mbështetur sepse kjo i ndihmon nxënësit që të jenë më të vëmendshëm në orën e mësimit. Në momentin që ka një prind që ka merak për fëmijën, telefonat mund të qëndrojnë në sirtar dhe t’i marrin pas mësimit”, thotë Dorina Kuka- drejtoresha e shkollës 9-vjecare “Ali Demi”.

Por siç e shihni, prania e teknologjisë nuk mund të shmanget; megjithatë qeveria, familja dhe komuniteti kanë përgjegjësinë të formojnë një botë më të sigurt dixhitale për çdo fëmijë në Shqipëri.

Share With:
Translate »
774 Views