Inva Mula dhuron gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë

Nevoja për gjak mbetet mjaft e lartë në vendin tonë, si për fëmijët talasemikë, por edhe për shkak të aksidenteve apo ndërhyrjeve kirurgjikale të ndryshme.

Sipas Kryqit të Kuq Shqiptar shifrat e dhurimeve vullnetare mbeten ende në nivele të ulëta.

“Nevojat shkojnë tek rreth 40 njësi gjaku në vit mesatarisht. Vetëm me dhurimet vullnetare arrihet deri në 20-25% e sasisë së nevojshme të gjakut për të gjitha këto sëmundje që po themi. Prandaj aksione dhe fushata të tilla janë shumë të nevojshme”, ka thënë sekretari i Kryqit të Kuq Shqiptar Artur Katuçi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula iu bashkua fushatës së dhurimit të gjakut.

Sopranoja Mula tregon dhe arsyen se pse është bërë dhuruese vullnetare e rregullt.

“Përpara disa viteve jam përballuar me një rast ku një i afërm nuk kishte mundësi të jepte gjak dhe kërkonte dhe unë në mënyrë shumë instiktive, thashë do e bëj një gjë të tillë. Kur shkova në spital dhe pashë sa i nevojshëm ishte gjaku në ato momente te njeriu i shëndetshëm, atëherë vendosa që kjo të bëhet dy herë në vit nga ana ime”, ka thënë Inva Mula.

Ndër të tjera Inva Mula dha një mesazh për artistët, por dhe të gjithë qytetarët

Jo si qytetare e thjeshtë, por dhe si një njeri i cili është i angazhuar të japë një shembull të tillë, edhe të bëhet shembull për të tjerët. Nuk na kushton asnjë gjë, por kjo është shumë e shtrenjtë që kanë nevojë. Nuk është mirë vetëm për njerëzit që t’i jep, por është mirë dhe për ty sepse çdo gjak që t’i ndërron, është në gjak i ri”, ka thënë Inva Mula.

Në gjithë vendin kategoria që ka nevoje për gjak mbeten talasemikët, që sipas shifrave zyrtare janë rreth 600 fëmijë.

Share With:
Translate »
66 Views