Ja çfarë i tha të birit në momentet e fundit të jetës ish-presidenti i SHBA
Ditën e djeshme u njoftua se ish-presidenti i SHBA George Herbert Walker Bush kishte ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare.
Sot James A Baker III, mik i ngushtë i Bush dhe ish-sekretari i shtetit, tregoi për “New York Times” gjendjen e ditëve të fundit dhe fjalët e fundit që ai kishte shkëmbyer me të birin George.
Baker tha se Bush ishte duke u venitur gjatë javës së kaluar dhe shumicën e kohës e kalonte duke fjetur dhe pa ngrënë.
Gjithashtu miku i ish presidentit tha se ai nuk pranoi të shkonte në spital pasi miqtë dhe anëtarët e familjes hynë në shtëpi për t’i dhënë lamtumirën.
Më tej Baker shtoi se biseda e tij e fundit me të birin George W ishte një telefonatë plot dashuri.
Pasi George i tha se është një baba i mrekullueshëm dhe sa shumë e donte, ish-presidenti u dëgjua të thoshte vetëm: “ Edhe unë të dua”.
Jenna Bush Hager gjithashtu foli për ndarjen nga jeta të gjyshit të saj duke thënë se ai nuk kishte frikë të ikte dhe ishte gati të bashkohej me gruan e tij Barbara, e cila u nda nga jeta tetë muaj më parë.
Heroi i Luftës së Dytë Botërore Bush ishte president nga 1989 deri më 1993, duke kryesuar ditët e fundit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Ngushllimet kanë shkuar për familjen e tij nga ish-presidentët Klinton dhe Obama, si dhe udhëheqës anembanë globit.