Jeta e Lisës në rrezik, kërkon ndihmë për operacionin në zemër!
Lisa e vogël ka lindur me një sëmundje të rrallë në zemër. Si pasojë e komplikacioneve të rënda, në atë kohë mjekët i thanë familjes se nëse nuk do kryente një ndërhyrje urgjente, do të kishte vetëm 1 muaj jetë. Me anë të borxheve dhe ndihmës nga shteti shqiptar, familja Çoço arriti ta dërgojë vogëlushen në Turqi. Sot, 5 vite më vonë Lisa ka kryer pesë ndërhyrje në zemër.
Por, fatkeqësisht shëndeti i saj vazhdon të jetë i rënduar dhe vogëlushja ka nevojë përsëri për të kryer një operacion. Madje mjekët e kanë nxitur familjen se duhet të kryhet urgjentisht, pasi në të kundërt jeta e Lisës vihet në rrezik. Operacioni duhet të kryhet këtë muaj, në 28 Janar dhe bëhet fjalë për një ndërhyrje e cila kushton 6 mijë Euro.
Familja gjendet në vështirësi ekonomike dhe për atë është e pamundur të sigurojë shumën e nevojshmë për operacionin e së bijës. Elioni, kryefamiljari punonte në një kompani për ruajtjen e sigurisë. Por, si pasojë e komplikimeve të vajzës, nuk mund të punojë rregullisht. Të vetmet të ardhura janë nga rroga e gjyshes, e cila kujdeset duke mbajtur një të moshuar çdo natë.
Të gjendur pa asnjë zgjidhje për shpëtimin e vogëlushes, të dëshpëruar ata kërkojnë ndihmën e shqiptarëve.