Kaloi shtatzëninë në park, sakrificat e Klajdës: Haja produkte të skaduara, lahesha me letra duarsh

Jeta e rehatshme dhe e bukur e Klajdës në Shqipëri ndryshoi me largimin e saj drejt Italisë 24 vite më parë. Ajo rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se dashuria për bashkëshortin e bëri të duronte sakrifica të mëdha vetëm që të qëndronin bashkë.

Klajda pranoi të kujdesej për shtëpinë ku ata jetonin së bashku me punëtorët e tjerë por një ditë të dy përfunduan në rrugë. Ajo kishte mbetur shtatzënë dhe pritja e ëmbël, një nga momentet më sublime për një grua, u kthye në një pasiguri të madhe e luftë të përditshme mbijetese.

Klajda: Një ditë bashkëshorti im humb punën dhe duke humbur punën humbim edhe shtëpinë sepse shtëpinë e kishte pronari. Aty kishim vetëm një kuvertë. Atë kuvertën e morëm dhe ikëm të jetonim në park dhe unë isha shtatzënë me djalin.

Ardit Gjebrea: Dhe flinit nëpër parqe.

Klajda: Flinim te parku.

Ardit Gjebrea: Jashtë?

Klajda: Jashtë, dy muaj.

Ardit Gjebrea: Për t’u larë, për t’u shpëlarë?

Klajda: Nuk laheshim. Unë haja vetëm kumbulla, ishin ca kumbulla jeshile aty te parku dhe unë haja ato kumbulla sepse nuk kishim mundësi ku të gatuaje, rroga pothuajse humbi sepse humbi puna dhe me ato paikica që kishim. Për t’u larë unë ikja në supermarket te tualetet e supermarketit dhe atje me letrat e duarve, i lagnim dhe arrinim të laheshim. Ndërkohë bashkëshorti im gjen punë 50 km larg vendit ku ishim në Bolonja dhe transferohet atje për të bërë dokumentet. Unë vazhdoja akoma të jetoja në park.

Ardit Gjebrea: Vetëm?

Klajda: Vetëm.

Ardit Gjebrea: Po në shtëpi çfarë u thoje në Shqipëri?

Klajda: Në shtëpi që thoja që isha mirë. E merrja me kabinë telefonike  mamin se atëherëë nuk kishim as celular, u thoja që isha mirë, mërzitesha se më mungonin shumë vëllezërit, mami dhe babi dhe me sakrifica po mësoja gjuhën, thoja avash-avash.

E uritur, shtatzënë dhe e pastrehë, Klajda gjente alternativa nga më të pabesueshmet për të ushqyer veten dhe fëmijën. Një ditë, pati një fije shprese kur dëgjoi një zë që i foli në shqip.

Klajda: Në supermarket hidhnin gjërat e skaduara, gjërat e prishura dhe ai ishte i vetmi ushqim i imi. Unë ndihesha keq sepse fëmija duhet të ushqehej, shumë e vështirë.

Ardit Gjebrea: Derisa një ditë dëgjove një zë të fliste shqip.

Klajda: Një ditë isha në supermarket, po flisja shqip me veten time dhe ndalon një grua shqiptare që quhet Mide. Ajo ndalon dhe thotë “je shqiptare”, aty filloj të qaj sepse për mua ishte emocion i madh të dëgjoja pas shumë vitesh zërin e një shqiptareje. I tregova historinë time dhe ajo vendosi të më merrte në shtëpi. Ika te shtëpia e saj, hëngra, u ngroha, u lava dhe vendosën të më mbanin aty për disa javë por kushtet e saj, edhe ajo emigrante nuk lejonin praninë time të gjatë. Atëherë më njohu me një shqiptare tjetër, Vera, aty kam ndenjur një muaj, me sakrifica edhe ato. Pastaj bëra xhiron te një kosovare, te një vlonjate. Unë jetova për 5 muaj nëpër shtëpitë e të tjerëve, gjithmonë shtatzënë.

Share With:
Translate »
81 Views