“Kam shkëlqyer më shumë si gjysh sesa si baba”/ Poi surprizon gjysh Agronin në studio
Regjisori i njohur Agron Vula përjetoi një moment mjaft emocionues në emisionin “Rudina”, ku në qendër të bisedës ishte edhe marrëdhënia e veçantë me familjen, veçanërisht me mbesën e tij, Poem Blu.
Por surpriza më e bukur për të erdhi nga mbesa e tij, Poem Blu, vajza e Ledri Vulës, e cila i dërgoi një mesazh të ëmbël, plot dashuri dhe përkëdhelje. Me pafajësinë dhe spontanitetin e një fëmije, ajo i shprehu gjyshit dashurinë e saj, duke e bërë këtë moment edhe më të veçantë.
“O dada, të dua! Sapo kam ngrënë akullore dhe nuk jam bërë pis as edhe me një pikë të saj. Dhe, ngaqë të dua, do të të sjell një shportë me akullore. Do ta bëj patjetër. Hajde, të kalofsh bukur! Po të përshëndes me dorë. Të përqafoj!”,ishte mesazhi i vogëlushes për gjyshin e saj
Pas këtij momenti, Agron Vula u ndal te marrëdhënia me mbesën, duke rrëfyer se të qenit gjysh i ka dhuruar një përjetim ndryshe të dashurisë familjare. Ai pranoi se gjatë fëmijërisë së djalit të tij, Ledrit, nuk ka mundur të ishte gjithmonë pranë tij, për shkak të angazhimeve dhe rrethanave të jetës.
“Më duket se kam shkëlqyer më shumë si gjysh. Vetëm kur bëhesh gjysh e kupton vërtet atë dashuri që ia jep fëmijës me shumë durim. Kur Ledri ishte i vogël, shumicën e kohës nuk kam qenë pranë tij, sepse kur dëshiroja të qëndroja me të, ndodhesha jashtë vendit. Kam kaluar katër vite në Berlin
E tillë ka qenë jeta dhe në Kosovë situata ka qenë e ngjashme, pasi na larguan të gjithëve nga puna dhe mbetëm pa mundësi punësimi. Kur bëhesh gjysh, atëherë e kupton më mirë vlerën e fëmijës, sepse ke edhe më shumë kohë në dispozicion dhe ndoshta dashuria është ndryshe, pasi mund të përkushtohesh më shumë. Edhe Poem duket se e ka gjyshin e saj mbi të gjithë të tjerët”, u shpreh Agron Vula.