Ku fillon dhe ku mbaron pedofilia? Përsiatje sipas botëkuptimit të një adoleshenteje

HAPI I PARË ËSHTË EDUKIMI. NËSE KY HAP ËSHTË I GABUAR, PEDOFILIA FILLON. DHE KY HAP ËSHTË I TILLË KUR I THONI FËMIJËS TË HAJË USHQIMIN, SE PËRNDRYSHE ERDHI “XHAXHI GOGOL”, GRUP FJALËSH QË PËRFAQËSON NJË PERSON QË FËMIJA E NJEH DHE NUK I NGJALL SIMPATI, OSE NJË KRIJESË TË DALË NGA IMAGJINATA JUAJ, TË INDUKTUAR NË MENDJEN E FËMIJËS, PËR TË NDJELLË DHE BINDUR ME ANË TË FRIKËS.

Të jeni të bindur prindër, se po i paralajmëroni për rrezikun e gabuar.

Rreziku i vërtetë fillon kur e detyroni fëmijën t’i japë lodrën e preferuar një fëmije tjetër, që e ka njohur brenda ditës, kur e detyroni të sillet lirshëm para të afërmit, që po ashtu e ka njohur brenda ditës, kur mosbindjes së fëmijës i përgjigjeni me shpulla. Këtu ngre krye edhe kultura e dhunës. Mandej me shkëputjen e lodrës nga fëmija, shkëputet një nga fijet e lidhjes së pandashme me prindin, që është besimi.

Figura juaj tek fëmija tani është ajo e po atij gogolit që përmenda. Vajza, apo djali juaj do t’i shmanget bisedave me ju, do t’jua fshehë gjërat që i quan të shtrenjta, qoftë kjo edhe një këngë, apo një laps, sepse dikur ju keni vendosur dëshirat e padrejta të një fëmije tjetër, të keqedukuar po ashtu, mbi të drejtat e atij tuajit. Një lodër mund t’ju duket lojë, por më lini t’ju kujtoj se lojërat janë bota e tyre ideale dhe kështu ju e shkelni këtë botë, ndaj rritja fillon me një brengë, një kujtim të hidhur që lidhet më shumë me ju, sesa me atë bashkëmoshatarin që as nuk do t’ia mbajë mend emrin.

Deri këtu ju keni edukuar mbi frikën. Madje tek hapi i fundit, përfshihet edhe kultura e përdhunimit, nga të dyja palët: Fëmija që kërkon të përvetësojë një send të shokut të vet, është edukuar mos ta pranojë fjalën “Jo!” dhe fëmija juaj ka frikë ta thotë më vonë këtë fjalë. Këto hapa paraqesin qartë traumat e fëmijërive tona, pra pak nga shumë arsyet pse ne nuk shprehemi për vështirësitë që hasim, pse nuk i hakërrehemi dhunës dhe pse i kthejmë të vërtetat në sekrete.

1

Që të ecim më tej me hapat e edukimit, do kaloja menjëherë tek mungesa e thellë e edukatës seksuale. Ju i keni mësuar fëmijës se ka ardhur nga sqetulla, lakra, apo qielli. S’mund ta mohoj faktin që janë detaje të këndshme natyrore dhe jemi tepër metaforikë si popull, përpiqemi t’ia bëjmë fëmijëve botën më ëndërrimtare, në kundërshtim me rastin e lodrave, por unë jam shokuar para të vërtetës, prindër. Me këtë dua të them që më vinte aq turp nga çdo e sharë që më kishin mësuar deri atëherë, sa nuk mund të flija, por që t’ju tregoja të tjerëve se tashmë edhe unë e dija, kisha bindjen se edhe unë duhej të shaja.

Dolëm tek shtegu i të sharave, që po kthehet në superstradë me kalimin e viteve. U mësoni fëmijëve të shajnë nga nëna, të përdorin fjalët popullore që iu drejtohen organeve seksuale, por u thoni se lejleku zgjodhi të pinte një kafe në apartamentin tuaj.

Nuk flitet me paramendim për lindjen, nuk është e pëlqyeshme t’i përcjellësh një ide pa të pyetur më parë, ama me të pyetur ju lutem të jeni të sinqertë, por jo vulgarë, të përgjigjeni me pyetje, derisa të arrini në lirshmërinë drejt të vërtetës. Mos i ktheni të vërtetat në sekrete…

Megjithëkëtë, absolutisht duhet folur me paramendim për ciklin menstrual, zhvillimin trupor. Mos i mësoni fëmijës se funksioni i reçipetave, pecetës higjienike dhe himenit është mbulimi i turpit. Mos u mësoni vajzave ta fshehin dhimbjen nga periodat! Mos u mësoni djemve të mos flasin nga turpi se po ju ndryshon zëri!

Nëse ende nuk e keni kuptuar se ku fillon pedofilia, atëherë e keni të vështirë ta pranoni. Të pranoni se një mësuese mund të jetë abuzuese, se është punonjëse e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, jo prind i dytë. Shumë mësuese të edukimit fizik e kanë normalizuar goditjen në të pasme. Shumë nga nxënësit i kanë normalizuar të qeshurat në lidhje me këtë. Nuk e di nëse e dinit. Di se nëse nuk e keni ngritur zërin pasi e keni ditur, do të thotë se nuk shqetësoheni.

2

E keni të vështirë ta pranoni se burri në pallatin përballë mund të mos jetë thjesht pensionist që iu blen fëmijëve karamele dhe kërkon ndihmë me punët e shtëpisë. Mos u hiqni sikur nuk e dini arsyen, për të shpikur të tjera, më bindëse… më pak tronditëse.

Nuk doni ta pranoni se nuk mund të postoni foto të fëmijës suaj, pa i marrë leje, sepse keni frikë ta pranoni se fotot e fëmijës mund të përdoren nga faqe me përmbajtje të frikshme, pas të cilave fshihen persona apo grupe të rrezikut të vërtetë, të cilat rrjetet sociale nuk i penalizojnë.

Nëse përparojmë me hapin e madh të edukimit, kemi nevojë për rrugë për dy hapat e radhës. Njëri është njohja. Të shohësh këdo me dyshim, paragjykim, skepticizëm është mënyrë e gabuar e njohjes, ama të jemi të sinqertë, pedofilët janë të dallueshëm fatmirësisht.

Sipas departamentit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pedofilët shoqërohen shumë pak me bashkëmoshatarët e tyre, koleksionojnë foto fëmijësh (shpesh viktimave), flasin për fëmijët siç do të flisnin për një të rritur që i tërheq seksualisht. Por në shumicën e rasteve këta janë pa dallim gjinie, të martuar dhe të respektuar në shoqëri. Këta nuk duhet të jenë të respektuar, duhet të jenë të trajtuar nga mjekët. Pasi identifikohen, pra njihen, qoftë edhe nga familja e tyre, sepse pedofilia njihet si çrregullim mendor, duhet të futen në psikoterapi dhe të marrin barnat përkatëse dhe të shmangin qëndrimin me fëmijët, jo të emërohen roje shkolle. Pikërisht për t’i njohur, për t’i mbajtur larg nga këto profesione, sepse kanë tendencën t’iu afrohen fëmijëve, po kërkohet një regjistër publik i tyre, që ju prindër të jeni të qetë dhe mos të jetoni me kulturën e frikës, por duhet të dyshoni para shenjave të mësipërme, pasi më mirë të dyshosh e të njohësh, sesa të dyshohet fëmija për çfarë kishte veshur, a i kishte filluar cikli menstrual, apo a ishte i zhvilluar si trup.

3

Qetësia juaj përmbyllet me dënimin. Një pedofil që ka abuzuar dhe shëtit në park është fyerja e thellë e dy etapave për të cilat lexuat deri tani. Ligji e dënon! Gjykata duhet ta dënojë! Nëse shoqëria jonë heq dorë së detyruari fëmijët të japin lodrat dhe detyron gjykatat, sistemin që përkul drejtësinë si kartëmonedhat, ato do të dënojnë maksimalisht.

Shpesh mendohet se pedofilia fillon me një hapje zinxhiri dhe mbaron më një ngritje pantallonash. Jo! Nëse numri i këtyre hapje-mbylljeve shtohet pa u denoncuar, pedofilia nuk mbaron! Nëse dënimi lihet në duar të forcave të mbinatyrshme, pedofilia nuk mbaron! Nëse pedofilët nuk njihen nga shoqëria, nëse ju vjen keq për reputacionin e tyre, organin gjenital, dëshirat e tyre seksuale, pedofilia nuk mbaron! Nëse nuk mbështesni viktimat, nëse nuk i admironi për forcën që kanë gjetur për të jetuar, pedofilia nuk mbaron!

Nëse ndiqni pak nga këto këshilla, pedofilia luftohet. Këto nuk mjaftojnë kështu që lexoni më tepër, kërkoni t’i përmendë media. E di që e keni të vështirë të kërkoni ndihmë për të rritur fëmijën tuaj psikologjikisht, por duhet ta bëni, sepse pedofilia nis aty ku s’jua merr mendja dhe mbaron aty ku fillon lufta juaj.

Brunela Mërtiri, gjimnaziste shkolla “Dertliu”/ Revista Psikologjia

Share With:
Translate »
330 Views