Kujdes! Mos i lini fëmijët të presin në makinë në ditë të nxehta. Këshillat nga mjeku

Përgjatë kësaj jave vendi ynë është përfshirë nga një valë nxehtësie, teksa temperaturat kanë prekur 43 gradë celcius, mjekët rekomandojnë shmangien e daljeve përgjatë orëve të drekës, veçanërisht për të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike.

Në një intervistë për “Report TV”, mjeku i familjes në Qendrën Shëndetësore nr.10 në kryeqytet, Bernard Bajraktari ka këshilluar publikun që të jetë në qarkullim më tepër në orët e mëngjesit dhe të pasdites, ndërkohë që ka nënvizuar që nuk duhet të lihen fëmijët dhe kafshët të presin brenda makinave për periudha kohore të zgjatura.

“I këshillojmë të qendrojnë në ambiente të freskëta, në hije, në ambiente të kondicionuara. Të shmangin aktivitete në kohët e nxehta sidomos në orët e drekës. Fëmijët, kafshët të mos lihen në makinë në pritje me orë pa e kuptuar që mund ti dëmtojnë nga temperaturat, nga i nxehti. Më tepër këshillojmë moshat treta të cilët kanë probleme kardiake, kanë probleme me sëmundjet pulmonare.

Aktualisht në këtë periudhë ne po bëjmë mbi 300 vaksinime në ditë në qendrën tonë shëndetësore. Këshillojmë popullatën dhe kemi menduar që vaksinimet të bëhen në fashën 08:00 deri në 12:00 paradite që mos ti kapi ajo periudha e nxehtë, pastaj edhe pasdite në orët e vona por ne preferojmë mëngjesin për tu vaksinuar. Mirë është të vaksinohemi sa më shumë. Vaksinimi eliminon mundësinë për tu sëmurur ose nëqoftëse do sëmuremi do kemi simptoma minimale”- ka thënë mes të tjerash mjeku Bajraktari.

Share With:
Translate »
170 Views