Kush e mblodhi ‘Don Zhuanin’ 40-vjeçar të Big Brother? Ish-banori zbulon të dashurën e zemrës
Ka vetëm disa ditë që është bërë baba për herë të parë dhe për ish-banorin e Big Brother, Ervin Sinjari, jeta ka marrë thjetër kthesë. I komentuar si Don Zhuani i të gjitha edicioneve, Ervini është kthyer në një familjar të devotshëm pas lidhjes me Erin, partneren prej 3-vjetësh. Pas ceremonisë së dasmës në muajin mars, Eri ka sjellë në jetë një vajzë më 3 korrik, që e kanë pagëzuar me emrin Daisy Rose. Menjëherë pas ardhjes së saj në jetë, Ervini ka postuar foto dhe video nga spitali “Euston”, në Londër, vendi ku prej disa muajsh, ai është zhvendosur së bashku me partneren.
Prej vitesh, Ervini e ka ndarë jetën në katër vende: Shqipëri, Itali, Tajlandë dhe Angli, dhe në të katra vendet ku ka jetuar, e ka marrë me vete nofkën “Don Zhuan”, siç e njihnin edhe në Big Brother, por edhe tani që ka krijuar familje, ‘titulli’ do t’i mbetet: “Jam njohur dhe do të më mbetet ky titull në të katër shtetet ku kam jetuar”, – thotë me të qeshur, edhe pse tashmë ka hequr dorë nga femrat.
Po cila është vajza që i ka rrëmbyer zemrën dhe e bëri baba në moshën 40-vjeçare? Ajo që e bëri për vete i ka shuar një herë e përgjithmonë edhe pasionin për biondet, siç është njohur Ervini në gjithë këto vite. Djali nga Tirana e ka përmbysur tashmë stereotipin, sepse ndihet kokë e këmbë i dashuruar me një brune elegante. Eri është një vajzë e panjohur për publikun. 27-vjeçarja nga Elbasani ka studiuar në Ekonomi në Tiranë, ku dhe jetonte në kohën që u njoh me Ervinin: “Në fillimet tona bashkëjetonim në Tajlandë. Ajo punonte si menaxhere e ‘Hard Rock Hotel’ në fundjavë dhe gjatë javës, në restorantin tonë. Jemi njohur nga një shoqëri e përbashkët, u bënë tre vjet që jemi bashkë.”
Çfarë kishte Eri të veçantë? “Është një vajzë shumë e mirë. Unë shoh veten tek ajo. Shkurt, është si shpirt, s’ka lidhje fare me çfarë kam jetuar në të shkuarën. Për mua kjo është dashuri e vërtetë, jo false.”