“Lamtumira e fundit”, fotoja që theu mijëra zemra! 19-vjeçari pranë nënës së pajetë
Shehab qëndron para kamerës i hutuar dhe i paqartë nëse do ta ndajë dhimbjen e tij me të tjerët.
“Unë quhem Shehab Omar Abu al-Hanud. Mamaja ime ka vdekur, ajo quhej Ghada”, nis ai rrëfimin.
Një foto dhe video e këtij djaloshi që qan mbi trupin e pajetë të nënës së tij në një spital në Rafah, është padyshim një ndër imazhet më të trishta që mund të na kenë parë sytë.
Ai shpenzoi më shumë se një orë duke e shtrënguar, pa i dhënë përgjigjie askujt. Ishte i zhytur totalisht në një gjendje shoku. Mijëra njerëz e emërtuan këtë moment në rrjetet sociale si “Lamtumira e fundit”.
Mediat e huaja shkruajnë se Shehab kishte pasur gjithnjë një kujdes të jashtëzakonshëm ndaj nënës së tij. Edhe pse donte ta mbante veten dhe të kontrollonte emocionet, ai nuk mund të rrinte pa folur për personin që “kishte qenë gjithçka për të”.
“Ishte nëna ime, motra, shoqja ime. Jeta pa të nuk ka kuptim! Ramazani po vjen…pa të. Pastaj Bajrami…Askush nuk e kupton dot se çfarë po kaloj. Kisha gjithë të drejtën të gëzoja me nënën time. Ajo ishte fiks një engjëll në formë njeriu, i ndihmonte njerëzit sa herë kishin nevojë, pa pritur asgjë mbrapsht”, shprehet i riu.
Por nëse ka diçka që e ngushëllon atë, është besimi se “Zoti i merr herët njerëzit e mirë.”
Ghada, ishte e vetmja viktimë në ndërtesën që u bombardua të Hënën e shkuar. Brenda kësaj godine ndodheshin plot 45 persona. Ajo kishte pak ditë që ishte kthyer në Rafah nga shtëpia e prindërve në Tal as-Sultan, për të qëndruar me bashkëshortin dhe 2 fëmijët. Të 4-ërt po flinin në dysheme, pak para se të sulmohej godina. Në momentin e parë ata vrapuan për të dalë jashtë, por Ghada u kthye për të marrë hijabin që kishte lënë brenda. Ajo shkoi dhe nuk u kthye më…
E dërguan në spital me lëndime të rënda, dhe atje iu desh të priste gjatë brenda një tende për të marrë trajtim shëndetësor. 40 minuta më vonë, ajo ndërroi jetë. Shaheb thotë se dikur jetonin në Gaza, në qytet. Por, prej luftës iu desh t’i bashkoheshin kampit Nuseriat në Rafah. Shkuan atje për t’u ndjerë më të sigurt, por sipas 19 vjeçarit, Izraeli nuk njeh kufij. “Ata godasin pa paralajmëruar”, përfundoi ai.