Libri i Zija Çelës për të birin e ndjerë, politikani prek mbarë rrjetin me këtë shënim

Ky është një shënim prekës i shkrimtarit Luan Rama për librin “Për dashurinë shkruhet edhe pas vdekjes” të Zija Çelës, shkrimtarit i cili jeton me dhimbjen e humbjes së të birit, Dritan Çelës, përkthyesi i cili mbylli sytë më 4 mars të vitit 2006 në moshën 36 vjeçare. “Herë tjetër, në letra, ëndrrën e kam kthyer në realitet, por është hera e parë që, sado të pëlcas, këtë realitet nuk mund ta kthej dot në ëndërr”, shkruan vetë Zija Çela në librin që vjen si rrëfim-elegji për birin e humbur.
SHËNIMI I LUAN RAMËS:
Një meshë letrare e Atit për Birin.
——————
Dëgjoj Mozart, lexoj librin e Zija Çelës «Për dashurinë shkruhet vetëm pas vdekjes » dhe çuditërisht fjalët e Atit për Birin më ngjizen me muzikën në një «Mesha në Si», pasi dhe faqet e këtij libri i ngjajnë një meshe të vërtetë letrare. Siç shkruhet dhe në kopertinën e pasme të librit « Thonë se virtutet dhe talentet janë xhevahirë të shtrenjtë që zbukurojnë njeriun. Nëse është e vërtetë, atëherë mund të them se gjithë kohën, sa rrojti, xhevahirët Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. Vetëm njëherë shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi me mortin e tij… »
Në dukje të parë, vdekja e Birit nuk ka lidhje me Mozart, por kur ai është një letrar, një artist, fjalët për të na bashkohen me marshet funebre, pasi ndodh që edhe humbja, vdekja, të bëhet objekt arti, vetvetiu, nga dhimbja, nga adhurimi për Birin nga agu i jetës gjer natën e errët të vdekjes. A nuk kishte thënë nëna e tij: « Biri im, ty nuk të vrau sëmundja. Unë e kam fajin ! Që kur linde, dashuria që provova për ty qe aq e madhe, sa e ndjeva se do të humbisja para kohe. Që nga ajo ditë ti rriteshe, të prisja, të përcillja, dhe unë qaja papushim çdo ditë nga dashuria e pamatë për ty !Biri im ! Biri im !…»
Nëse Dritan Çela nuk do kishte qenë njeri i letrave, nëse nuk do kishte qenë ai përcjellësi i letërsisë si përkthyes e letrar i eseve të mrekullueshme, ky libër ndoshta s’do ishte shkruar, por ai është shkruar në përkushtim të talentit të kryer që tashmë kishte marrë rrugën e madhe të letërsisë dhe artit, duke përcjellë në shqip letërsinë e Buzzati-t, Susana Tamaro-s, Pirandello-s, Eco-s Calvino-s, Moravia-s apo Schiascia-s… pasi ai ishte përcjellësi i pishtarëve të dritës dhe ndodh që në furtunat e mëdha flaka papritur të shuhet…
Duke qenë larg Tiranës, unë nuk e njihja birin e mikut tim të vjetër, shkrimtarit të talentuar Zija Çela, thjesht kisha dëgjuar për të dhe përkthimet e jashtëzakonshme, por ky libër që lexova, jo vetëm më bëri të njoh «atë diamant të zi» që mbeti në botën e përkthimeve shqiptare, por dhe të dëgjoj një meshë të rrallë përkushtimi të Atit për Birin, një libër për t’i thënë atij ato fjalë që siç duket Ati nuk i kishte thënë më parë, fjalë dashurie e malli që përcëllojnë çdo çast dhe përtej vetë kohës. Po, «për dashurinë shkruhet pas vdekjes» dhe në këtë ngjizje të muzikës së Mozart që dëgjoj dhe fjalëve të tij e kuptoj sesa të pakufishme janë nganjëherë dimensionet e dashurisë…

Share With:
Translate »
906 Views