Lira Gjika përballë një situate reale që nuk rri dot pa e ndarë me ne

Një ngjarje e jetuar që vjen përmes rrëfimit të pediatres së njohur Lira Gjika, e cila në një status në profilin e saj në facebook, i bën të gjithë të mendohen dy herë kur vjen puna tek marrëdhënia prind-fëmijë. Le të mos harrojmë që janë krijesa që kanë nevojë për kujdes dhe edukim, pavarësisht se sa të pasur apo të varfër janë prindërit!

Statusi i plotë: Një ngjarje e jetuar. Nëna e veshur me shumë shije dhe veshjet të blera në “boutique”, po ashtu edhe babai. Fëmijën e kishin vënë në mes, që nuk ishte më shumë se 6 vjeç. Nëna e kishte kapur te kyçi i dorës dhe gati e tërhiqte me inat si një peshë, që e pengonte, por s’kish ç’të bënte, duhet ta mbante. Babai, gati i huaj edhe me veten. Fëmija nuk dinte çfar të bënte, ecte sa më shpejt, që mundej, për të mos u penguar apo bezdisur mamanë, që fliste gati duke bërtitur “se unë kam jetën time”. Babai ashtu i huaj siç ishte, i përgjigjej nënës së fëmijës “ohu një fjalë di ti” Këta dy njerëz kishin bërë shkolla, kishin gjetur punëra të mira, kishin mësuar anglisht, por nuk kishin mësuar, se gjërat e rëndësishme nuk zgjidhen në rrugë. Ata dy njerëz, në atë çast, nuk ishin të vetëdijshëm për veten e tyre si njerëz, si prindër. Këtyre dy njerëzve, as u shkonte në mend, që po flisnin për gjënë më të rëndësishme të jetës së tyre në prezencë të fëmijës së tyre, dhe ku po flisnin? Në rrugë. Pra këta dy njerëz, që me siguri ishin punojnës në banka, apo ishin avokatë, apo kanë biznes, nuk u shkon mendja, se gjërat e mëdha nuk diskutohen në rrugë. Për këtë kategori njerëzish nuk ka vlerë asgjë, kur i pushton inati, mllefi dhe nervozizmi. Këta njerëz të veshur me aq kujdes dhe shije të hollë, përdornin një fjalor e ton, aspak të cilësisë së veshjes së tyre. Të dy të mbushur me mllef me njëri-tjetrin harronin detyrën kryesore. Që e kanë për detyrë të jenë modeli qytetar i fëmijës së tyre. Dhe unë që padashur u bëra dëshmitar i kësaj skene sa të dhimbshme aq të shëmtuar, sepse rastisa në atë rrugë, në atë çast kritik, e pafuqishme të ndihmoj fëmijën, më ushtonte në vesh, shprehja e madhe e profesor Çabejt, “fjala mëson, por modeli tërheq dhe ndërton”. Ai fëmijë, që u tërhoq rrugëve të Tiranës si një thes, që e rotullonte kokën sa majtas djathtas për të kuptuar ndonjë gjë nga ky diallog të rriturish, si e përjetoi këtë situatë? Ai fëmijë nuk e di se kush ka të drejtë, ai di, këta dy njerëz janë mami dhe babi dhe ai do të jetë “i rritur” si ata. Prindërit e këtij fëmije, kanë bërë shkolla e kanë mësuar fjalë, por kur duhet të flisnin për gjëra madhore nuk dinin as vëndin dhe as fjalët e duhura.

Share With:
Translate »
662 Views