Lule në vendin ku u vra 7-vjeçarja Joanda Avdia, pushuesit braktisin plazhin e Potamit! Rrobat e familjarëve ende mbi shezlong
VLORË- Plazhi i Potamit në Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja Joanda Avdia, pasi u përplas për vdekje nga një gomone me drejtues Arjan Tase, teksa po lahej në det, sot është braktisur nga pushuesit.
Pas ngjarjes së trishtë, në vendin ku mbeti e vdekur e mitura, janë vendosur lule, ndërsa rrobat e familjarëve janë ende mbi shezllonë.
Fotot nga plazhi i braktisur mëngjesin e sotëm, i ka publikuar në Facebook, gazetarja Esmeralda Keta, e cila përshkruan edhe panoramën, që la pas ngjarja tragjike e një dite më parë
‘Mëngjes i trishtë sot në Potam… Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë me të, një lule për lulejetën e re që nuk e mbrojtëm dot, rrobat e familjarëve ende mbi shezllonë dhe plazhi krejtësisht i braktisur… Ikën të gjithë, ikën të shpëtojnë fëmijët e tyre, sepse nuk ditëm t’u krijojmë një vend të sigurte. Sot të gjithë jemi fajtorë, e pafajshmja u bë engjëll.’- shkruan gazetarja.