Mamatë e reja, më të shëndetshme dhe të lumtura kur punojnë

Sipas një studimi, nga dy universitete amerikane, gratë që kthehen në punë, pasi kanë lindur një fëmijë, janë në gjendje më të mirë fizike dhe mendore, krahasuar me ato që e kanë lënë punën ose punojnë part-time.

Mbajtja e shtëpisë dhe e punës në të njëjtën kohë, nuk duhet t’i trembë nënat e reja. Përkundrazi, ato që janë në gjendje të kujdesen për familjen dhe që nuk e lënë pas karrierën, janë më të shëndetshme dhe të lumtura se ato që nuk e bëjnë këtë gjë. Në këto konkluzione kanë arritur disa studiues amerikanë nga Universiteti Penn State dhe Akron, sipas një studimi, i cili është realizuar te rreth 2540 nëna të reja gjatë viteve 1978 dhe 1995. Kërkimi mbështet argumentin se puna me kohë të plotë përmirëson kushtet fizike dhe mendore të një gruaje. Ato të cilat janë kthyer në punë me kohë të plotë janë më në formë, kanë më shumë energji dhe janë më pak të rrezikuara të sëmuren nga depresioni, krahasuar me ato të cilat punojnë me një kohë të pjesshme apo që nuk punojnë fare. Kjo, sepse mamatë punëtore nuk “dystohen” vetëm në kujdesin e shtëpisë dhe të familjes, por ato kanë edhe një vend që shprehin përgatitjen dhe kompetencat! Ky vend është puna e tyre. Sipas rezultateve të studimit, gratë në kushtet psikofizike të këqija janë ato të cilat nuk punojnë, dhe kjo jo prej zgjedhjes së tyre. Po kështu, edhe ato të cilat punojnë me kohë të pjesshme, sepse janë më pak të paguara, të pasiguruara, u mungon privatësia dhe nuk mund ta zhvillojnë karrierën e tyre.

“Mos u jepni për kompromis. Mos hiqni dorë nga ambiciet tuaja, nga studimet dhe nga karriera. Të punosh, të bën mirë”, siguron Adrianne French nga Universiteti i Akron, për të gjitha ato gra që do të bëhen nëna. “Puna përmirëson shëndetin fizik dhe mendor të grave, sepse ajo rrit vetëbesimin tuaj dhe lejon që të arrini objektivat, të mbani nën kontroll jetën dhe të ndiheni të pavarura”, shpjegon ekspertja, ndërsa ajo paralajmëron se gratë që ndërpresin punën ballafaqohen me shumë pengesa. “Bëjeni fëmijën pas martesës dhe mos prisni shumë për t’iu rikthyer punës pasi të keni lindur një fëmijë”, këshillon French. “Mos lejoni që pasazhet ‘kritike’ të jetës familjare, si martesa ose lindja e një fëmije, t’ju pengojnë të investoni kohë dhe përqendrim në arsimimin tuaj dhe në arritjen e aspiratave tuaja, sepse janë gratë ato të cilat për familjen përfundojnë duke pranuar më shumë kompromise. Puna ju bën më të shëndetshme”, vazhdon më tej Adrianne French. Ndërkaq, ajo përmbledh: “Mund të vini para mënjanë për nevojat tuaja. Kujtoni që jetës asnjëherë nuk i dihet, rasti i divorcit është i mundshëm të ndodhë. Për ju do të jetë e vështirë për t’u futur në punë pa pasur ‘shpatulla të ngrohta’, apo një sfond solid”.

Share With:
Translate »
1047 Views