“Mamin e ofenduan në autobus, kurse xhaxhallarët donin të merrnin gjakun tim” Linda Halimi rrëfen kalvarin e paragjykimeve pas martesës

Linda Halimi është një emër i njohur për publikun shqiptar, i cili e ka mbështetur që në hapat e parë të karrierës. Këngëtarja e dashur nga Vitina, një komunë e vogël në distriktin e Gjilanit, arriti të na magjepste të gjithëve në vitin 2008-të me performancën e saj në “Top Fest”. Por ndërkohë që të gjithë prisnim që Linda të ishte më e pranishme në skenën shqiptare, ajo u largua drejt SHBA-së me partnerin e saj Davon Edwards, me të cilin ka edhe një vajzë, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Kaimana.

Artistja e njohur është bërë së fundmi pjesë e “Big Brother Vip Kosova” dhe gjatë bisedës me dy konkurrentë të tjerë ka folur për paragjykimet raciale me të cilat është përballur pas martesës me reperin, amerikan Big D.

“Nuk kam qenë kurrë një person që viktimizohem, vetëm unë e di se si kam mundur të “mbijetoj” duke qenë e martuar me një person që nuk është shqiptar dhe i ngjyrës tënde. Më patën ‘mbytur’ portalet, më kanë bërë presion pafund prej 2012-shit. Imagjino sa tabu ka qenë. Në fillim e kam vuajtur shumë, se kam humbur shumë familjarë. Kam xhaxhallarë që nuk flas me ta ende, madje i kanë thënë babait tim: ‘Nëse ti nuk je i gatshëm e marrim ne gjakun, ta pastrojmë ne gjakun’.”,- u shpreh mes të tjerash ajo.

Linda tha se është e lumtur për zgjedhjen që ka bërë, por ndihet keq sepse atë periudhë më së shumti e kanë vuajtur prindërit e saj.

“Më shumë më janë dhimbsur prindërit e mi. Nëna ime ka qenë një herë në autobus dhe kur e kanë kuptuar se është nëna ime e kanë ofenduar duke i thënë: ‘Ti e ke edukuar keq, largohu nga autobusi’. Vëllait tim i kanë bërë presion, kam vuajtur shumë”,- tha Linda e përlotur.

Share With:
Translate »
96 Views