Maqedonia e Veriut/ 4 muaj ‘pushim lindje’ edhe baballarët

Maqedonia e Veriut- Pushim edhe për baballarët në rast se çifti sjell në jetë një fëmijë.

Lajmi u njoftua nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

“Pushimi i atësisë është në kohëzgjatje prej 15 ditëve dhe shfrytëzohet menjëherë pas lindjes së fëmijës, nëse është një fëmijë, ndërsa për binjakë, trinjakë ose më shumë fëmijë të lindur, në kohëzgjatje prej 20 ditëve. Pushimi i lehonisë zgjat pesë muaj, ndërsa ai prindëror nga katër muaj për çdo prind veçmas”, tha Jovanka Trençevska ministrja e Punës dhe Politikës Sociale

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale thekson se edhe pse në shikim të parë duket sikur është zvogëluar periudha e pushimit të lehonisë, megjithatë nuk është ashtu, sepse nëna ka pesë muaj pushim të lehonisë dhe katër muaj pushim prindëror. Domethënë, siç theksoi, mbetet me fëmijën njëjtë si edhe deri më tani, nëntë muaj.

“Këtu janë edhe katër muaj pushim prindëror për babanë, i cili nëse përdoret nga ana e babait pasi që të kalojë pushimi i lehonisë dhe ai prindëror i nënës, domethënë që fëmija, në vend të 9 muajve si deri më tani, do të mund të jetë nën kujdes të prindërve gjithsej 13 muaj”, tha Jovanka Trençevska ministrja e Punës dhe Politikës Sociale.

Sipas Trençevskës, vendosja e tri llojeve të pushimit, përveç sigurimit të mbrojtjes, ka për qëllim edhe barazimin e rolit të nënës dhe babait, gjegjësisht burrit dhe gruas në periudhën e rritjes së fëmijës ose fëmijëve. Ligji pritet të votohet në shkurt, e para kësaj janë të parapara debate publike për përfshirjen e opinionit për komente. Klan Macedonia

Share With:
Translate »
23 Views