MAS bën thirrje për shpërndarjen e teksteve shkollore: Ja ku duhet t’i blini

Këtë të premte, ashtu siç ishte parashikuar, ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore në pikat e licencuara nga Ministria e Arsimit. Autoritet arsimore garantojnë nxënësit se nuk do të ketë mungesë të botimeve, ndërsa u bëjnë apel të mos e lënë në ditët e fundit blerjen e tyre për të shmangur radhët e gjata, shkruan Ora News.

Ndërkohë, shpërndarja e teksteve ka nisur në pikat e licencuara pranë shkollave ku mësojnë nxënësit. Nga këto kancelari, librari ose pika të tjera, prindërit dhe nxënësit duhet të blejnë librat shkollorë sipas katalogëve përkatës.

Drejtorja e Arsimit Parauniversitar pranë MAS, Zamira Gjini, garanton nxënësit se nuk do të ketë mungesë të teksteve, pasi botuesit kanë printuar në kohë librat në bazë të kërkesave të shkollave: “Procesi i shitjes së teksteve ka filluar. Pra, njësi tregtare që janë pranë shkollave dhe distributorët që janë në qytetet e Shqipërisë kanë filluar shpërndarjen e teksteve dhe shitjen e  teksteve për nxënësit e këtyre qyteteve” – tha për mediat Gjini duke shtuar: “Kemi rreth 170 tekste në katalogun shkollor, tekstet e klasave nga e para në të nëntën janë shpërndarë që një javë përpara nga botuesit në të gjithë Shqipërinë, nuk ka mungesë të teksteve nga katalogu i teksteve shkollore.

Lëndët shkencore të klasave 2 dhe 7, si dhe klasa e 10 në gjimnaz, do të mësojnë me tekste të shtëpive botuese Cambrige, Oxford, Peason: “Tekstet e matematikës, e shkencave të natyrës, kemi tekste të përkthyera nga shtëpitë botuese Cambrige, Oxford dhe Peason që janë përkthyer dhe përshtatur nga botuesit shqiptarë dhe janë përzgjedhur në shkollat tona.”

Autoritetet e Arsimit u bëjnë thirrje nxënësve të mos i lënë në ditë të fundit blerjet e librave me qëllim shmangien e radhëve, duke theksuar se procesi do të monitorohet nga Ministria e Arsimit dhe Inspektoriati Shtetëror i Arsimit.

Share With:
Translate »
871 Views