Gjatë masazhimit të fëmijëve përfitojnë dhe prindërit

Masazhimi i të sapolindurve është një praktikë mjaft e mirë shëndetësore jo vetëm për ta, por edhe për prindërit e tyre.
Masazhi u fal të dyja palëve një eksperiencë emocionale shumë të mirë dhe jo vetëm…

Masazhimi i të sapolindurve dhe i fëmijëve është një praktikë që po përhapet gjithnjë e më shumë, sepse ajo përfaqëson një mënyrë riforcimi të ndjenjave emocionale dhe fizike, shumë të rëndësishme për ta. Masazhet nuk shërbejnë më shumë për lehtësimin e tensioneve sesa shërbejnë për krijimin e emocioneve, për një mbështetje dhe një kontakt lëkurë-lëkurë. Gjithashtu, masazhet e ndihmojnë fëmijën të ketë një perceptim të caktuar për trupin e tij dhe padyshim ato i sjellin çlodhje atij. Fëmijën tuaj mund të filloni ta masazhoni 3-4 javë pas lindjes. Zbuloni me ne masazhet për të sapolindurit, të lehta për t’u bërë në shtëpi.

Momenti i masazhit për beben tuaj
Masazhimi i një fëmije është një moment qetësues si për fëmijën ashtu edhe për prindërit: bëhet fjalë për një “kontakt”, i cili forcon lidhjet emocionale dhe jo vetëm. Masazhi “rizgjon” ndjesi të tjera, si dëgjimin, nuhatjen, shikimin. Fëmijët e vegjël i duan ritualet, ndaj këshillohet që atyre t’u bëhet masazh pas banjës, edhe pse në fakt çdo rast është i mirë për ta bërë këtë gjë, për shembull kur i ndërron pelenën apo kur e vesh.

Çfarë kremi dhe çfarë vaji duhet të përdorni?
Në ditët e sotme është e vështirë të zgjedhësh një krem të duhur për kujdesin e lëkurës së të sapolindurit, pasi ajo ka tendencë të thahet duke qenë se është në kontakt të vazhdueshëm me ujin. Këshillohet që për masazhet të përdorni një vaj vegjetal natyral si ai i bajameve të ëmbla ose të susamit, të cilët janë shumë ushqyes. Mos aplikoni vajra esencialë, qoftë edhe në sasi të vogla, pasi ato janë toksike kur absorbohen nga lëkura delikate dhe të ndjeshme si ajo e fëmijës.

Përgatitja për masazh
Masazhin fillojeni nga fytyra, sepse fëmija ju sheh dhe ju dëgjon. Shtrijeni fëmijën, të zhveshur, në shpinë mbi krevat, tryezë ose përtokë dhe poshtë kurrizit vendosi një peshqir të pastër. Bëni kujdes me temperaturën e dhomës: ideale do të ishte 24 gradë Celsius. Gjithashtu duhet të keni parasysh të kuptoni se në cilën pjesë të trupit fëmija preferon të masazhohet në fillim. Mos harroni se masazhet duhet ta ndihmojnë atë të qetësohet, ndaj është e dobishme të mos insistoni nëse nuk është i gatshëm.

Fytyra dhe koka
Nëse vendosni që masazhin ta filloni nga koka atëherë filloni me përkëdheljet mbi faqe dhe më pas gradualisht drejt veshëve, duke ndjekur kockat e faqes. Më pas shkoni poshtë drejt nofullës deri në mjekër me lëvizje të vogla rrethore. Ringjitu drejt hundës dhe ballit. Këtë të fundit masazhoje ëmbëlsisht, nga qendra drejt tëmthave ose e kundërta. Është shumë e rëndësishme që mos të harroni ta shihni fëmijën në sy dhe të buzëqeshni gjatë masazhit. Ky është një moment komunikimi shumë i veçantë.

Masazhi i skajeve
Mund të filloni si nga duart ashtu edhe nga krahët, po ashtu nga këmbët dhe kofshët. Përkëdhelini shpatullat dhe krahët për të zbritur më pas deri te duart. Bëni të njëjtën gjë edhe me këmbët. Sa herë që i masazhoni shpatullat fëmijës lëvizi atij edhe krahët, duke i kryqëzuar një herë nga një anë dhe një herë nga ana tjetër. Ndaloni për një kohë të gjatë te duart dhe te këmbët për t’i tërhequr një e nga një gishtat e tij, pasi ato konsiderohen si zona trupore të pasura me “fije” nervore.

Masazhi në bark
Barku është një nga pikat të cilën e masazhojmë më shpesh, sepse të sapolindurit vuajnë nga dhimbjet e barkut dhe nga mostretja. Këshillohet që barkun e fëmijës duhet ta fërkoni lehtësisht, po ashtu edhe brinjët.

Masazhi në shpinë
Për ta praktikuar sa më mirë masazhin shtrijeni fëmijën me bark para jush apo mbi barkun tuaj; filloni me përkëdhelje nga lart-poshtë, duke përfunduar te këmbët. Vazhdoni të bëni lëvizje rrethore në shtyllën kurrizore, mbi të cilën nuk duhet të ushtroni kurrë presion.

Tendosjet
Tendosjet janë një plotësues i shkëlqyer për masazhet e të sapolindurve, sepse stimulojnë fleksibilitetin dhe hapjen e kyçeve. Mund t’i bëni në çdo moment të ditës, kur fëmija është i qetë dhe i mirëpërgatitur. Tendosjet duhet të kryhen me kujdes maksimal për të ruajtur kufijtë e elasticitetit të fëmijës.

Filloni të masazhoni beben në një kohë kur është i qetë, por jo shumë përgjumësh. Sigurohuni që dhoma të ketë një temperaturë të mirë. Përdorni një vaj masazhi delikat, fërkojeni stomakun e fëmijës suaj, kraharorin, kokën, krahët dhe këmbët. Përdorni lëvizje delikate, por të sakta. Nëse fëmija shqetësohet, me siguri do të thotë që kaq masazhim është i mjaftueshëm

Share With:
Translate »
784 Views