Më mirë fëmijë i vetëm apo me motra-vëllezër?

Është sigurisht një pyetje që është e vështirë për t’iu përgjigjur. Cili është numri ideal i fëmijëve që duhet të ketë një familje?

Shumë variabla ndërhyjnë për të na bërë të kuptojmë se nuk është e mundur të gjejmë një përgjigje të vetme për pyetjen. Para së gjithash, duhet të kuptojmë sa fëmijë duam; i japim apo jo peshë disa kushteve, si stabiliteti ekonomik, i punës dhe personal apo shëndetësor.

Është praktikisht e pamundur të përcaktohet nëse ka një numër ideal fëmijësh.

Disa thonë se të ndalosh pas fëmijës së parë e bën më të lehtë menaxhimin e tij. Plus që gjithçka që familja ka është dhe do të jetë e këtij fëmije, duke i rritur kështu standardin e jetesës.

Disa, në fakt shumica e njerëzve, zëvendësojnë veten në njëfarë mënyre. Pra një çift, dy fëmijë. Të tjerë pas dy vajzave apo pas dy djemve, bëjnë edhe një fëmijë për të balancuar gjininë që i mungon.

Po studimet çfarë thonë?

Hulumtimet nga Norvegjia, për shembull, zbuluan se numri i fëmijëve në një familje luan një rol relativisht të vogël në përcaktimin e nivelit arsimor ose IQ, të paktën në mesin e adoleshentëve.

E njëjta gjë mund të thuhet për atë që ka të bëjë me tiparet e personalitetit. Një artikull i vitit 1987, i cili përmbledh 140 studime, tregoi se nuk ka dallime midis fëmijëve të vetëm dhe fëmijëve me vëllezër e motra në lidhje me karakteristika të tilla si, për shembull, ekstroversioni. Të njëjtat rezultate dolën nga një hulumtim i kryer në Kinë, një vend që prej kohësh ka adoptuar politikën e një fëmije. Nuk u gjetën dallime në tiparet e personalitetit mes fëmijëve të vetëm dhe atyre me vëllezër dhe motra.

Nëse ka diçka që ka rëndësi ajo është radha e lindjes. Fëmijët e lindur të parët, pavarësisht nëse kanë vëllezër e motra apo jo, performojnë pak më mirë në testet e IQ-së, vazhdojnë studimet e tyre më shpesh dhe janë të destinuar të arrijnë fitime më të larta në jetë. Edhe pse studiuesit nuk janë në gjendje të shpjegojnë saktësisht arsyet, kjo mund të jetë për shkak të faktit se prindërit i kushtojnë shumë kohë fëmijës së tyre të parë për t’i mësuar ata të komunikojnë, të lexojnë dhe të shkruajnë, duke inkurajuar zhvillimin e gjuhës tek fëmija.

Për pjesën tjetër, zgjedhja e numrit të fëmijëve është dhe duhet të jetë ekskluzivisht e drejtë e familjes, për arsye që vetëm mami dhe babi duhet t’i dinë dhe që, natyrisht, nuk duhet t’ia justifikojnë askujt!

Share With:
Translate »
28 Views