“Më morën me forcë nga Bathorja e më lidhën te ‘Sheshi Skënderbej’”, Ronaldo Tanushi tregon si u trafikua nga Bukuroshja

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me rrëmbimin e 12-vjecarit Ronaldo Tanushi, në 4 korrik në Tiranë. Sipas “BW” i mituri është pyetur në prani të psikologes në lidhje me atë çfarë i ka ndodhur dhe se si ka përfunduar në Sarandë pa prindërit e tij. I mituri ka treguar se teksa ishte duke luajtur me shokët e tij në Bathorë dy burra e kishin marrë me forcë dhe e kishin futur në makinë deri në Tiranë. Prej aty ai është njohur me një grua me emrin Bardha dhe një djalë tjetër dhe të tre së bashku kanë shkuar në Sarandë dhe gruaja i ka nxjerrë të lypin.

Pjesë nga dosja:

Para disa ditësh ishte duke luajtur me shokët e tij pranë shtëpisë në zonën e Bathores, Tiranë. Aty është afruar një djalë, i cili së bashku me një tjetër e kanë futur në makinë me zor. Gjatë tërheqjes, nga forca e ushtruar, ka marrë disa dëmtime fizike. Ata persona ishin të rritur, rreth të 30-ve. Më pas, e kanë lënë të lidhur në “Sheshin Skënderbej” dhe aty erdhën dy persona të tjerë, të cilët e zgjidhën dhe e lanë të ecte i lirë. Në atë kohë i është prezantuar një grua me emrin “Bardha” së bashku me një djalë, e cila i ka marrë dhe i ka çuar tek autobusi i Sarandës duke u ulur në fund të tre. Gjatë rrugës është ndier keq. Kur erdhën në Sarandë, Bardha i nxori për të lypur nëpër lokale të ndryshme në Sarandë. Gjatë ditës dilte për të lypur dhe lekët ia jepte Bardhës, e cila vetëm në darkë i jepte për të ngrënë.
Nga këqyrja e jashtme e të miturit kanë rezultuar disa dëmtime, që kanë karakteristikat e mëposhtme: “Mbi vetull dy gërvishje, në gjurin e këmbës së majtë ka gërvishje të thelluara të shkaktuara me mjete të forta. Në pjesën e bërrylit vihet re një hematomë me ngjyrë mavi, me përmasa 4X2.5 cm, në bërrylin e dorës së djathtë dhe poshtë bërrylit dhe sipër vihen re hematoma me formë rrethore, me diametër 1.8 cm. Ankohet për dhimbje të kokës në pjesën e ballit, në anën e majtë.

Në lidhje me këtë ngjarje policia ka burgosur Bukuroshe Muharremin pasi ishte ajo që e kishte detyruar të miturin të dilte të lypte rrugëve të Sarandës, edhe pse vetë e ka mohuar këtë gjë. Bukuroshja ka treguar se djali i kishte thënë se ishte jetim dhe se i ishte lutur që ta merrte me vete në Sarandë për të lypur.

Share With:
Translate »
162 Views