Meghan Markle nën kritika për videon e realizuar pranë vendit ku u aksidentua për Princesha Diana
Dukesha e Sussex-it, Meghan Markle, është përballur me një valë kritikash të ashpra pasi publikoi një video në Instagram nga një limuzinë në Paris, ku shihej me këmbët e ngritura, jo shumë larg tunelit ku princësha Diana humbi jetën tragjikisht.
Ky veprim i Meghan-it është cilësuar nga shumë përdorues si “i padenjë” dhe “pa ndjeshmëri”, duke shkaktuar zemërim të madh në rrjete sociale.
Meghan, e cila ndodhej në Paris për Javën e Modës, shkaktoi polemika me këtë video që shumë e cilësuan si të pamenduar. Në pamjet e shpërndara në Instagram, shihet këndi i kamerës nga perspektiva e saj, ndërsa makina kalon pranë urave të njohura të qytetit, si Pont Alexandre III dhe Pont des Invalides.
Ajo që zemëroi opinionin publik ishte fakti se ura e radhës në itinerar ishte Pont d’Alma, pranë së cilës ndodhet tuneli ku në gusht të vitit 1997 humbën jetën Diana, partneri i saj Dodi Fayed dhe shoferi Henri Paul — ngjarje që ka lënë gjurmë të thella në jetën e princit Harry.
Foto: Instagram
Kjo situatë erdhi vetëm pak ditë pas shfaqjes së papritur të Meghan-it në Javën e Modës në Paris, vizita e saj e parë në Evropë që nga Lojërat Invictus 2023 në Dyseldorf. Videon ajo e ndau me 4.2 milionë ndjekës të saj gjatë natës.
Reagimet në rrjetet sociale ishin të menjëhershme. Eksperti mbretëror Richard Fitzwilliams e quajti postimin “krejtësisht konfuz”, “absurd” dhe “jashtëzakonisht të papërshtatshëm”.
“Nuk e kuptoj çfarë ka menduar – ose më saktë, nuk ka menduar fare. Asnjë këshilltar nuk do t’i sugjeronte një gjë të tillë”, tha Fitzwilliams për DailyMail.
Ai shtoi se Meghan ka plotësisht të drejtë të marrë pjesë në evente të modës, por ndarja e një videoje që mund të lidhet me tragjedinë e Dianës është “e pakuptimtë dhe e pandjeshme”.
“Jam i sigurt që nuk e ka bërë me qëllim për të fyer askënd, por kjo tregon mungesë të plotë kujdesi dhe reflektimi”, shtoi ai.
Foto: Epa/Profimedia
Sipas Fitzwilliams, edhe princi Harry mund të jetë ndjerë thellësisht i prekur nga kjo situatë.
“Vdekja e Dianës është një plagë që e ka shoqëruar gjithë jetën e tij. Nuk mund të imagjinoj që ta ketë marrë mirë këtë gjest. Edhe pse ai gjithmonë e mbështet publikisht, besoj se kjo do ta ketë tronditur shumë,” përfundoi ai.
Edhe përdoruesit në platformën X (ish-Twitter) u shprehën kritikë:
“Pavarësisht vendndodhjes, videoja e dërgon qartë mesazhin që ajo synon”, shkroi njëri.

Të tjerë shtuan se kjo video “nuk e ndihmon aspak Harryn” dhe se “nuk mund të besohet që ajo e ka bërë vërtet”.
Gjatë qëndrimit në Paris, Meghan mori pjesë në sfilatën e Balenciaga-s, ku u pa në shoqërinë e Anna Wintour, Anne Hathaway dhe regjisorit Baz Luhrmann. Përfaqësuesi i saj tha për People se ajo ishte aty për të mbështetur Pierpaolo Piccioli, mikun e saj të ngushtë dhe drejtorin e ri kreativ të markës.
Për këtë rast, dukesha kishte zgjedhur një fustan të personalizuar nga Balenciaga, të cilin e kishte kombinuar me një çantë të zezë dhe taka elegante të të njëjtës markë, me vlerë rreth 745 funte (854 euro).

